Lajme

Kurti takohet me Lajçak dhe Borrel në Paris, diskutojnë për zhvillimet në Veri dhe planin franko-gjerman!

11/11/2022 12:03
nga:Y I

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili po qëndron në Francë për të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, para fillimit të forumit, u takua me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Temat kryesore të takimit ishin dinamizimi i dialogut Kosovë-Serbi, zbatimi i vendimit për targat ilegale, zhvillimet e fundit në Kosovë, thuhet në komunikatën e ZKM-së raporton Gazeta Blic.

Komunikata e plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Francë për të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, para fillimit të forumit, u takua me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajčák.

Dinamizimi i dialogut Kosovë-Serbi, zbatimi i vendimit për targat ilegale, zhvillimet e fundit në Kosovë, dhe çështje tjera aktuale ishin temat qendrore të takimit, ku morën pjesë edhe Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe këshilltarët e Kryeministrit, Jeton Zulfaj dhe Fisnik Korenica.

Kryeministri Kurti theksoi elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, ndërsa tha se propozimi franko-gjerman, që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.

Duke biseduar për zhvillimet e fundit në veri të vendit, Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend.

/Gazeta Blic/