Lajme

Nis takimi i Kurtit me Borrellin në Paris

11/11/2022 10:48
nga:Y I

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në Paris.

Qendra televizive e informacionit e BE-së, Europe By Satellite, ka publikuar pamje nga ky takim të premten në mëngjes.

Ky takim ishte paralajmëruar të enjten nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nëpërmjet një postimi në Twitter.

Ai bëri të ditur se Borrelli do të ketë takim gjatë së premtes edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Stano tha se këto takime janë “tentime për të ndihmuar në zbutjen e përshkallëzimit të situatës, qetësimin e tensioneve aktuale dhe avancimin e dialogut të Brukselit”.

Kurti dhe Vuçiqi ndodhen në Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes.

Atje janë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.