Ani pse prej kohësh flitej për planin franko-gjerman, detaje për të nuk janë zbuluar deri tani.
Të martën mbrëma, ishte kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ai që shpalosi detaje, derisa tha se Qeveria i ka dërguar komentet për këtë plan dhe se nuk është se pajtohet 100 për qind me të.
Por, ai tha se bërthama e këtij plani është e shëndoshë dhe se është në të mirë të Kosovës.
E, sot, janë zbuluar 9 pika të këtij plani, nga media Euractiv.
Lidhur me këtë plan, ish deputetja Shqipe Pantina, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se në bazë të asaj që është publikuar, është plan pozitiv për Kosovën.

“Ndonëse ende nuk dihet në tërësi çfarë përmban ky plan, ajo çfarë sot është publikuar në Euroactiv duket të jetë pozitive për Kosovën pasi përkundër se nuk thuhet në mënyrë eksplicite se Serbia e njeh Kosovën, ajo e njeh subjektivitetin e saj (pra të Kosovës) dhe tërësisë territoriale të saj”, thotë Pantina.
Ish deputetja potencon se nuk dihet se çka i kërkohet Kosovës në këmbim dhe cilat do të jenë kompetencat e Asociacionit.
“Ajo çfarë nuk e dimë është çfarë i kërkohet Kosovës në këmbim, gjegjësisht cilat do të jenë kompetencat e Asociacionit që në deklarimet e ndërmjetësve për Kosovën si atyre të SHBA-ve, të BE-së dhe disa vendeve të BE-së i kërkohet ta formojë”, vlerëson Pantina.
Ajo kritikon Qeverinë për mos transparencë për këtë plan franko-gjerman, derisa thekson se derisa Konjufca ka dhënë vlerësim pozitiv, Kurti nuk ka dhënë vlerësim të qartë e disa deputetë të VV-së kanë bërë deklarime qesharake.
“Për fat të keq, Qeveria ka qenë tepër jo transparente me publikun edhe për përmbajtjen e draft marrëveshjes por edhe për qëndrimin e saj karshi kësaj draft marrëveshje. Përderisa kryeparlamentari Konjufca jep një vlerësim më pozitiv, kryeministri Kurti nuk ka dhënë ndonjë vlerësim të qartë, përveç se Serbia nuk e ka pranuar, e disa nga deputetët e pushtetit kanë bërë deklarime tejet joserioze e madje disa edhe qesharake, sidomos kur fajësojnë mediet e opozitën se janë në anën e Vuçiqit”, deklaron ish deputetja Shqipe Pantina./Gazeta Blic/
Euractiv: Këto janë nëntë pikat e planit franko-gjerman


