Opinionisti Rrahman Paçarizi ka thënë se sot u bë e qartë se Qeveria e Kosovës nuk është e koordinuar me ShBA-në.
“Sinjalet ishin të qarta që Qeveria e Kosovës, përkatësisht kryeministri i Kosovës, nuk është koordinuar me partnerët ndërkombëtarë, përkatësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndonëse në dy-tre ditët e fundit kam nisur të mendoj ndryshe, duke qenë kosovar mirënjohës ndaj Amerikës, kam dashur të besoj se kryeministri i Kosovës, cilido qoftë ai, në situata të këtilla do të koordinohej, nuk do të kishte zgjidhje tjetër veçse të koordinohej me ShBA-në, por ky koordinim nuk po ndodh dhe këto veprime: anulimi, shtyrja e këtyre vizitave, tregon që këtu nuk ka koordinim”, ka thënë Paçarizi në Rubikon.
Sipas tij, Kurti ka qenë i saktë, pasi nuk ka thënë se qeveria ka koordinim me ShBA-në, por komunikim dhe, siç thotë ai, komunikim i bie edhe kur Amerika kërkon përditë shtyrje vendimesh.
“Këtu Kurti ka qenë i saktë, nuk ka thënë se kemi koordinim, por kemi komunikim. Komunikimi mund të jetë gjithfarë. Komunikim është edhe kur të thërrasin përditë e të thonë shtyje vendimin. Pra, nuk është koordinim. Zoti Kurti di ta përdorë këtë lloj të retorikës, që më pas të nxirret”, ka shtuar ai.


