Sporti

Shitet për një shumë rekorde bolidi i Michael Schumacher

11/09/2022 18:31
nga:Mergim Rreci

Ferrari me të cilin Michael Schumacher fitoi pesë gara (Spanjë, Austri, Kanada, Itali dhe Shtetet e Bashkuara) në sezonin e Formula 1 të vitit 2003, u hodh në ankand këtë të mërkurë në Gjenevë të Zvicrës për një çmim rekord.

F2003-GA Chassis 229 u ble në një ankand të Sotheby’s për 13 milionë franga zvicerane, afërsisht e njëjta shumë në euro, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm, kur makina me të cilën gjermani garoi në sezonin 2001 u shit në ankand për 7.5 milionë euro, përcjell GazetaBlic Sport.

Michael Schumacher u bë kampion i botës në Formula 1 shtatë herë (1994, 1995, 2000, 2001, 2002, 2003 dhe 2004) dhe fitoi 91 gara gjatë gjithë karrierës së tij.

Më 29 dhjetor 2013, Schumacher, tani 53 vjeç, pati një aksident të rëndë teksa bënte ski, duke e goditur kokën në një gur. Deri më sot ka shumë pak lajme për gjendjen delikate shëndetësore të ish-pilotit.

/GazetaBlic Sport/