Pranë kolegjit të Gjykatës së Apelit, të mërkurën janë shqyrtuar ankesat ndaj të dënuarit për marrje ryshfeti Mursel Racaj dhe të dënuarit tjetër që i ndihmoi në kryerjen e veprës penale, Arian Buqaj.
Sipas gjykatësit referues të kolegjit të Apelit, Hashim Qollaku, ankesë kanë parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbrojtësi i të dënuarit Racaj avokati Ramë Gashi dhe mbrojtësi i të dënuarit Buqaj, avokati Florim Shefqeti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Racaj akuzohej se në cilësinë e personit zyrtar si Drejtor për Prokurim të Veçantë në Agjencinë Qendrore të Prokurimit, me qëllim që vetes t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, në mars të 2021-ës ka kërkuar para ryshfet nga i dëmtuari Arbër Hasani, pronar i firmës “AS Securizy”, i cili kishte aplikuar në një tender për Agjencinë e Pavarur në vlerë prej 409 mijë e 374 euro.
Ndërsa, Arian Buqaj dhe Erodit Racaj akuzoheshin se në bashkëkryerje me dashje kanë ndihmuar Mursel Racajn, në kryerjen e veprës penale mirëpo për Erodit Racajn, me vendim të formës së prerë është hudhur aktakuza dhe është pushuar procedura penale.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 shtator 2022, Racajn e kishte dënuar me 2 vite burgim dhe 2 mijë euro gjobë, ndërsa Buqaj ishte dënuar me 6 mijë euro gjobë.
Kundër këtij vendimi, ankesë ka parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë lidhur me vendimin për të dënuarin Racaj e cila ka propozuar që të ndryshohet aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë duke kërkuar dënim më të ashpër.
Ndërsa, mbrojtësi i Racajt, avokati Gashi ka kërkuar nga Apeli që të refuzohet ankesa e prokurorisë si e pabazuar dhe të aprovohet ankesa e tij për aq sa gjykata e vlerëson.
Avokati Gashi përmes ankesës ka kërkuar që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptohet dënim më i ulët se sa ai i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë.
Edhe avokati Shefqeti ka parashtruara ankesë lidhur me vendimin mbi sanksionin penal, i cili ka kërkuar që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptohet një dënim më i ulët.
Sipas avokatit Shefqeti, i mbrojturi i tij ka pasur një marrëveshje për pranim të fajësisë me prokurorinë, në të cilën marrëveshje ai tha se është përcaktuar dënimi prej 5-6 muaj burgim dhe sipas tij dënimi do të duhej të ishte 5 muaj e jo 6.
“Përmes ankesës kemi pretenduar që do të duhej të jetë 5 muaj e jo 6, sepse ka pasur pranim dhe marrëveshje qysh në fazën fillestare madje bashkëpunim të të mbrojturit tim me prokurorinë dhe konsiderojmë që të gjitha rrethanat lehtësuese dhe posaçërisht lehtësuese kanë ekzistuar në këtë rast dhe po ashtu si të tilla do të reflektonin në shqiptimin e dënimit prej 5 muaj e jo 6”, ka thënë avokati Shefqeti.
Tutje, i njëjti ka thënë se në raport me lartësinë e konvertimit të këtij dënimi në dënim me gjobë të shqiptuar prej 5 mijë euro, Gjykatës Themelore i kishin prezantuar edhe raportet bankare të cilat sipas tij vërtetojnë që i mbrojturi i tij ka detyrime kreditore.
“Dhe kjo lartësi e gjobës mund ta vejë para pamundësisë së përmbushjes së kredisë dhe marrjes së hipotekës së lënë, banesës së ku jeton me fëmijët e tij”, deklaroi tutje Shefqeti.
Prandaj, i njëjti ka thënë se nga të gjitha rrethanat ka pasur bazë që të shqiptohet minimumi i lartësisë së gjobës.
Avokati Shefqeti po ashtu ka përmendur edhe çështjen e shqiptimit të dënimit plotësues për të mbrojturin e tij dhe sipas tij, as në marrëveshje për pranim të fajësisë, as në aktakuzë e as në gjykim asnjëherë nuk e kanë pasur si çështje dënimin plotësues të shqiptuar nga ana e gjykatës së shkallës së parë.
“Prandaj, shqiptimi i dënimit plotësues edhe sipas Komentarit të Kodit të Procedurës Penale, faqe 240-241, mendojmë që e ka tejkaluar akuzën dhe objektin e gjykimit, prandaj referuar edhe detyrimeve familjare edhe obligimeve të tjera duke mos marrë edhe kohën tuaj vlerësojmë që në këtë çështje nuk ka pasur rrethana rënduese dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale gjykata gabimisht e ka vlerësuar si rrethanë rënduese, sepse ajo ka qenë element i veprës penale”, tha ai.
Avokati iu lut gjykatës së Apelit që të ketë parasysh konkretisht dënimin plotësues sepse i njëjti sipas tij vështirëson mirëqenien familjare dhe sociale të të mbrojturit të tij.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë ricilësimin e veprës penale për të akuzuarit Racaj dhe Buqaj, ashtu që në vend të veprës penale ‘Marrja e ryshfetit’ nga neni 421, paragrafi 3, akuzoheshin për veprën penale ‘Marrja e ryshfetit’, neni 421, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 31 mars 2022, Mursel Racaj akuzohej se në cilësinë e personit zyrtar si drejtor për Prokurim të Veçantë në Agjencionin Qendror të Prokurimit, me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, në mars 2021 ka kërkuar para ryshfet nga i dëmtuari Arbër Hasani, pronar i firmës “AS Securizy”, i cili kishte aplikuar në një tender me titull “Sigurimi fizik i Objekteve për Agjencionin e Pavarur” në vlerë prej 409 mijë e 374 euro.
Tutje, në aktakuzë thuhet se në zyrën e të akuzuarit Racaj janë takuar i pandehuri me të dëmtuarin e që në këtë takim Racaj i ka thënë të dëmtuarit Hasani “nëse e dëshiron këtë tender, duhet të m’i japësh 20 mijë euro -5% të vlerës së çmimit të favorshëm të tenderit”.
Po ashtu, thuhet se të njëjtit janë marrë vesh në ditën kur ta nënshkruajnë kontratën të marrë paratë, ashtu që sipas akuzës më 10 shtator 2021, rreth orës 16:00, i akuzuari në zyrën e tij në katin e 5-të, në objektin e Autoritetit Qendror të Prokurimit e ka nënshkruar kontratën dhe ka pranuar paratë ryshfet në shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Hasani, para të cilat kanë qenë të Fondit të Policisë së Kosovës dhe janë përdorur në rast.
Më këtë, sipas aktakuzës i njëjti është akuzuar për veprën penale “Marrje e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Ndërsa, Arian Buqaj dhe Erodit Racaj sipas aktakuzës, në bashkëkryerje me dashje kanë ndihmuar Mursel Racajn, në kryerjen e veprës penale të përshkruar sipas dispozitivit të parë të kësaj aktakuze, pasi që i pandehuri paraprakisht iu ka premtuar se një pjesë të parave të marra ryshfet do t’i ndante me Buqajn dhe djalin e tij Eroditin.
Në vazhdim, sipas akuzës, më 10 shtator 2021 rreth orës 16:00, pas pranimit të shumës prej 8 mijë euro, Mursel Racaj menjëherë ua dërgon paratë, e të cilët i kanë marrë dhe i kanë fshehur në podrumin e një banese ku edhe janë gjetur dhe sekuestruar nga ana e Policisë, para të cilat kanë qenë të Fondit të Policisë së Kosovës, të përdorura në simulim, të pluhurosura, kështu që reagimi i pluhurit në dritën UV, është gjetur në duart dhe rrobat e të pandehurve Buqaj dhe Racaj.
Me këtë, në bashkëkryerje janë akuzuar se kanë kryer veprën penale Ndihmë nga neni 33 në kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të KPRK-së.
Por që, me vendim të formës së prerë, të akuzuarit Mursel Racaj dhe Arian Buqaj akuzoheshin për veprën penale nga neni 421, paragrafi 1, kurse ndaj të akuzuarit Erodit Racaj është hudhur aktakuza dhe është pushuar procedura ndaj tij.


