Sporti

Këto janë tri ndeshjet që zhvillohet sot në Superligën e Kosovës

11/09/2022 08:28
nga:Lorik J

Me fillim nga ora 13:00 sot do të zhvillohen tre ndeshje në kuadër të javës së 16’të në Superligën e Kosovës.

Prishtina pas dy barazime radhazi në shtëpi sot është mysafir i Malishevës në stadiumin ‘Liman Gegaj’.

Kryeqytetasit gjenden në pozitën e tretë në tabelë me 23 pikë, kurse skuadra e udhëhequr nga Sami Sermaxhaj ndodhet në vendin e shtatë me 15 pikë.

Ndeshje interesante pritet të zhvillohet në ‘Bajram Aliu’ mes Drenicës dhe Dukagjinit. Vendasit në tre javët e fundit nuk dinë për fitore, ndërsa klinasit të shtunën ‘demoluan’ Malishevën me rezultat 4-0.

Sot do të takohen edhe dy skuadrat e vendeve të fundit në renditjen tabelore, Ferizaj dhe Trepça’89.

Bardhë e kaltrit arritën të shkaktojnë befasi të dielën kundër Llapit, të cilën e mposhtën në ‘Zahir Pajaziti’ me rezultat 1-2. Kjo ishte fitorja e tyre e parë pas tetë ballafaqimeve.

Mirëpo, edhe mitrovicasit vijnë pas triumfit ndaj Drenicës (1-0) dhe sikurse Ferizaj ndërprenë ecurinë e rezultateve negative pas gjashtë takimeve pa fitore.

Kujtojmë se nesër do të luhen dy ndeshjet derbi të kësaj xhiro. Ballkani është nikoqir i Llapit në Suharekë dhe kryefjala e kësaj jave është derbi i Anamoravës mes Gjilanit dhe Dritës.