Lajme

Nënkryetari i Novoberdës: Skenat e dorëheqjeve dje, shqetësuese për shqiptarët e serbët

11/08/2022 17:54
nga:G B

Nënkryetari i komunës së Novoberdës, Bajrush Ymeri, ka komentuar dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave veriore të Kosovës.

Ymeri tha se skenat që u panë në veri, me dorëheqje jo vetëm të kryetarëve por edhe policisë, ishin shqetësuese jo vetëm për komunitetin shqiptar por edhe atë serb.

Ai tha se edhe kryetari i Novoberdës, Sasha Millosheviq, që vjen nga Lista Serbe, dje ishte në vendin e punës.

“Dje filluam punën në mëngjes, pas ngjarjeve që ndodhën atje dhe mund të them se gjithçka ishte normale. Edhe kryetari ishte në vendin e punës dhe të gjithë punëtorët që punojnë në administratë. Duke biseduar me kolegë serbë, ishte shqetësuese edhe për ta por konsideroj se gjithçka ka qenë normale”, është shprehur Ymeri në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Tutje, Ymeri tha se meqë Millosheviq vjen nga Lista Serbe, ata e vizitojnë Beogradin dhe konsultohen me ta.

“Sigurisht që ka pasur presione edhe ndaj tyre, por jo të theksuara siç ka ndodhur atje për t’u dorëhequr nga pozitat e tyre. Kjo nuk ka ndodhur, ata janë në vendin e punës dhe gjithçka ka qenë normale”, është shprehur Ymeri.