Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova dhe aleatët e saj i dinë qëllimet e Serbisë dhe satelitëve të saj, por që SHBA kërkoi që të pezullohet vendimi për targat deri në Marrëveshjen Finale dhe se kjo kërkesë garanton sigurinë e vendit tonë e veçanërisht sigurinë e rendin në veri të vendit, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se ata që dalin jashtë kësaj kërkese, nuk punojnë në interes të sigurisë së vendit tonë e as të zbatimit të ligjit, derisa ka shtuar se Kurti me demagogët e vet, qoftë në qeveri e qoftë jashtë saj, nuk janë me aleatët e sigurisë dhe as nuk janë të interesuar për sigurinë e Republikës së Kosovës.
Haradinaj ka shtuar se Kurti duhet ta pranojë menjëherë kërkesën e Amerikës.
Postimi i tij i plotë:
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Populli i Kosovës dhe aleatët tonë të sigurisë i dinë shumë mirë qëllimet e Serbisë, sponsorëve dhe satelitëve të saj.
Por;
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes zyrtarëve të saj, që nga Ambasadori Hovenier e deri te Sekretari i Shtetit z.Blinken, kërkuan nga Kosova pezullimin e vendimit për targat deri në Marrëveshjen Finale;
Kësaj kërkese iu bashkuan edhe vendet e QUINT-it por edhe vendet e tjera të NATO-s, aleate tonat në siguri;
Kjo kërkesë nuk është vetëm politike por garanton sigurinë e vendit tonë e veçanërisht sigurinë e rendin në veri të vendit;
Ata që dalin jashtë kësaj kërkese nuk punojnë në interes të sigurisë së vendit tonë e as të zbatimit të ligjit. Kurti me demagogët e vet, qoftë në qeveri e qoftë jashtë saj, nuk janë me aleatët e sigurisë dhe as nuk janë të interesuar për sigurinë e Republikës së Kosovës;
Kjo situatë është bardh e zi. Në vend që të vazhdohet me demagogji, menjëherë duhet të pranohet kërkesa e Amerikës, QUINT-it dhe aleatëve të tjerë të NATO-s për shtyrjen e vendimit për targat deri në Marrëveshjen Finale.


