Duke folur për mbledhjen e sotme Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq pretendon se “çështja e anëtarësimit të Kosovës ndoshta nuk do të jetë në agjendën e mbledhjes së sotme, por kjo nuk do të thotë se çështja është zgjidhur”.
“Republika e Irlandës (kryesuesja) ka hequr dorë dhe nuk do të propozojë në mbledhjen e Komitetit të Ministrave futjen në agjendë anëtarësimin e Kosovës, nuk e dimë nëse këtë do të propozojë dikush tjetër, por nuk e besoj, sepse kërkon disa përgatitje. Pra, tani kjo çështje kalon te kryesuesi i ardhshëm, e që do të jetë Islanda dhe tani duhet të punojmë me Islandën”, pretendon Daçiq.
Ndërsa sa i përket insistimit të SHBA që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë, Daçiq kërkon prej tyre “një ofertë të drejtë”.
“Unë i pyes partnerët tanë amerikan: cila është oferta, cili është propozimi për ne? Oferta e drejtë do të ishte zgjidhja e çështjes së Kosovës. Epo, oferta nuk mund të jetë, votoni sanksione kundër Rusisë, dhe pika e dytë është se ne do ta pranojmë Kosovën në OKB dhe në Këshillin e Evropës. Epo, prit, ne nuk kemi rënë nga Marsi, dhe nuk dimë se cili është interesi ynë. Ky është një opsion i keq për ne. Ne duam një marrëveshje, ne e duam atë, por askush nuk e lëshon dorën kur është mbi greminë derisa nuk e fiton dorën tjetër. Dhe cila është dora tjetër? Sepse ata duan që ne të lëshojmë dorën e vetme që po na mbanë. Unë jam plotësisht konkret dhe praktik dhe e kam thënë edhe 10 vjet më parë në Uashington, përderisa problemi i Kosovës është aktual, ne duhet të kujdesemi për ata që mbështesin interesat tona në lidhje me të”, e bën të qartë Daçiq se Serbia as nuk e ka ndërmend të vendosë sanksione ndaj Rusisë


