Lajme

Tortura e të moshuarës në Pejë, Abdixhiku: Kjo ngjarje duhet të shërbejë si zë zgjimi për çdo insitucion shtetëror sot

11/02/2022 16:45
nga:Genita C

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas rrahjes së të moshuarës në Shtëpinë e Pleqve në Pejë, raporton GazetaBlic.

Përmes një shkrimi në “Facebook”, Abdixhiku thotë se është i tronditur nga ky dhe kjo ngjarje duhet të shërbejnë si zë zgjimi për çdo insitucion shtetëror sot.

Shkrimi i plotë:

I shokuar e tronditur nga dhuna e ushtruar ndaj një zonje të moshuar. Edhe më shumë nga indiferenca e vëzhgueseve të kësaj dhune.

Pafuqia e asaj zonje, thirrjet e saj që s’kish kush t’i dëgjonte aty, duhet të shërbejnë si zë zgjimi për çdo insitucion shtetëror sot.

Ngjarjet si këto nxjerrin anën më të errët të shoqërisë sonë. Ato përveç se të këpusin emocionalisht, të dërmojnë me realitetin e hidhur tek i cili jo rrallëherë po përfundojmë. Kapërcimi nga një shoqëri që respektonte më të vjetrin, në një që ushtron dhunë ndaj tyre në tallje e përqeshje – është përfundim i trishtë. Dhuna është problemi ynë shoqëror; dhe kundër saj duhet dhe do të ngritemi të gjithë.