Ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq ka thënë se “nuk mund të thotë se dronët e kujt kanë fluturuar dje mbi zonën e Merdares dhe rrethinës së Rashkës, por se kanë ardhur nga Kosova”, transmeton televizioni serb RTS.
Ai pretendon se “janë vërejtur disa dronë, se ka pasur lëvizje të ndryshme, por aeroplanët MIG-29 nuk po patrullonin për shkak të dronëve”.
“Ushtria mund t’i përgjigjet këtyre sfidave me helikopterë, topa dhe mitralozë kundër-ajrorë. Nuk është fjala vetëm për hyrjen e dronëve në rrethin e Rashkës, ushtria serbe ka vërejtur disa objekte me drejtim të lëvizjes edhe nëpër zonat e Toplicës dhe Nishavës”, ka pretenduar Vuçeviq.
Sipas mediave serbe “fluturaket pa pilot dje i kanë xhiruar aktivitetet në dy kazerma në Zonën e Sigurisë Tokësore”.
Vuçeviq ka pretenduar se në tri ditë e kaluara, ushtria po vëren objekte të caktuara, fluturake pa pilot ose dronë që lëvizin përgjatë kufirit me Kosovën në Zonën e Sigurisë Tokësore me hyrje të kohëpaskohshme në territorin e Serbisë.
Vuçeviq thotë se bëhet fjalë për përpjekje për vëzhgim të pozicioneve të njësiteve të ushtrisë serbe të kazermave të caktuara ushtarake.
Ai tregon se presidenti serb, ka dhënë urdhër ekzekutiv për “eliminimin e çdo objekti të tillë”.
“Ne do ta mbrojmë qiellin që është nën kontrollin e ushtrisë sonë – qiellin që mbulohet nga sistemet tona – do të ketë siguri për të gjithë qytetarët e Serbisë”, “premton” ministri serb


