Lajme

“Serbia e njeh Kosovën në kontratë, pas kësaj s’do të ketë më dialog”

11/01/2022 21:17
nga:Genita C

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka dhënë detaje të reja sa i përket kornizës së planit franko-gjerman.

Sipas tij, njohje eksplicite nuk do të ketë të Kosovës nga Serbia, por, në kontratë, Kosova e ka njohjen në marrëveshje.

Kryetari i AAK-së shtoi se marrëdhëniet mes dy vendeve avancohet duke bazuar në atë dokument.

“Ajo është, avancohen marrëdhëniet në bazë të dokumentit. Shumë me të drejtë u tha që Serbia s’po don me konfirmu aktin final. Vuçiq në emër të kontratës e ka mundësinë me i thanë Serbisë që nuk e kam njohur Kosovën, por në fakt e ka njohur Kosovën në kontratë”, shtoi ai në T7.

Gjithashtu, Haradinaj u shpreh se pas këtij momenti, nuk do të ketë më dialog mes të dyja shteteve.

“Kjo kontratë e njeh, po që s’kanë marrëdhënie diplomatike, por si dy shtete që e respektojnë njëra tjetrën si të pavarura. Nuk besoj që do të ketë dialog pas kësaj, as për njohje. Veç nëse don që të njeh Serbia. Mendoj që amerikanët janë në punë. Më nuk ka nevojë. Kosova çlirohet nga cilado varësi prej Serbisë”, vijoi deputeti opozitar.

Në anën tjetër, Haradinaj theksoi se duhet të jetë edhe nënshkrimi i ShBA-së në dokumentin që mund të firmoset mes Kosovës dhe Serbisë.