Lajme

Krasniqi për targat: Kurti mori vendim kryeneç, s’kishte guxim të përballet me propozimet që u hedhën në tavolinën e dialogut

11/01/2022 19:49
nga:Genita C

Njohësi i çështjeve politike, Albert Krasniqi thotë se vendimi i fundit i Kurtit për targat po i ngjanë vendimit për tarifën 100% në produktet e importit nga Serbia, raporton GazetaBlic.

Përmes një shkrimi në “Facebook”, Krasniqi thotë se Kurti nuk ka pasur guxim të përballet me propozimet që u hedhën në tavolinën e dialogut, dhe për këtë sipas tij ka marrë një vendim të tillë.

“Vendimi për targat po i ngjanë atij vendimit për tarifën 100% në produktet e importit nga Serbia. Sa herë që kryeministrat gjenden në një qoshe nga propozimet që u hedhën në tavolinën e dialogut, në mungesë të guximit për t’u përballur me to, rrugën e shpëtimit e gjejnë përmes vendimeve kryeneçe si këto”, shkruan Krasniqi.

“Shtrirja e plotë e sovranitetit nuk mund të bëhet me nënshkrimin e një vendimi nga zyra në Prishtinë. Aq më pak kur për këto vendime nuk ke përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare, dhe as fuqinë për t’i zbatuar i vetëm. Po flasim për komuna ku qytetarët nuk e paguajnë as energjinë elektrike të shpenzuar, e lëre më të pritet bindje për shkak të fletë-qortimeve e shqiptimit të gjobave. Konfiskimi i veturave duket edhe më pak i mundshëm, kur kujtojmë pamundësinë për të larguar dy kamionë që bllokonin rrugët në herën e parë. Shtrirja e sovranitetit në veri është proces politik që kërkon zgjidhje përmes dialogut dhe në veçanti përkrahje të Amerikës – që në këtë rast nuk e kemi”, shton Krasniqi.