Lajme

Mbrojtësit e Gucatit dhe Haradinajt ridorëzojnë në Apel dosjet kundërpërgjigjëse ndaj ZPS-së

11/01/2022 15:22
nga:N M

Mbrojtja e Hysni Gucatit dhe ajo e Nasim Haradinaj, kanë ridorëzuar dosjet kundërpërgjigjëse të apelit ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ky rast është në fazën e procedurës para Gjykatës së Apelit dhe më 1 e 2 nëntor pritet të mbahen seancat para panelit të kësaj gjykate, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gucati ka ridorëzuar dosjen e tij kundërpërgjigjëse më 17 tetor, derisa Haradinaj këtë e ka bërë më 15 tetor.

Ndryshe, Paneli i Apelit, kishte konsideruar që të njëjtit të ridorëzojnë këto dosje.

Në një vendim të tyre, thuhej “Së fundi, Paneli vëren se ky është një nga një seri dështimesh nga Mbrojtja që të dy të Akuzuarit t’u përmbahen kërkesave formale në apel. Dështime të tilla të përsëritura kanë një ndikim negativ në funksionimin efikas të Dhomave të Specializuara. Prandaj, Paneli i kujton mbrojtjes detyrimet e tyre për t’iu përmbajtur Udhëzimit Praktik kur dorëzojnë dosjet e tyre para Panelit”.

Ndryshe, më 18 maj 2022 është shpallur aktgjykimi ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, ku trupi gjykues i shpalli fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku të llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin. Ndërkaq, u liruan nga përgjegjësia penale për hakmarrje.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkoheshin se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës./BetimipërDrejtësi