Lajme

“Front të përbashkët politik kundër Qeverisë Kurti”, krejt çka u tha në konventën “Veprat flasin” të partisë Nisma

10/30/2022 16:29
nga:Genita C

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka folur sot në konventën politike “Veprat flasin”, ku foli për Jakup Krasniqin dhe krerët e UÇK-së për të cilët thotë i bindur se shumë shpejt do të kthehen në Kosovë, raporton GazetaBlic.

Fatmir Limaj gjatë kësaj konvente ka kritikuar edhe Qeverinë Kurti ku thotë se këta të fundit janë fajtor që Kosova ka ngecur në zhvillim, ka humbur rrugë, ka humbur partner e ka humbur komunikimin me qytetarët e vet.

Limaj ju ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të për një front të përbashkët demokratik, kundër Qeverisë Kurti.

Shkrimi i plotë pa ndërhyrje:

NISMA mban Konventë Politike. Limaj bën thirrje për një front të përbashkët demokratik.

NISMA Socialdemokrate, sot, në prani të strukturave drejtuese të saj, ka mbajtur një Konventë Politike, me moton “Veprat Flasin”, konventë në të cilën kryetari Fatmir Limaj, ka paraqitur para të pranishmëve vizionin politik që do të ndjek Nisma Socialdemokrate tani e tutje në skenën politike të Kosovës.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, fjalimin e ka hapur me fjalë mirënjohëse për bacën Jakup Krasniqi, duke u lutur për shëndetin e tij dhe duke qenë të bindur se ata shumë shpejt do t’i kthehen Kosovës.

“Veprat Flasin” është motoja jonë që shënon edhe rikthimin tone politik, për të bashkuar burra e gra të rinj e të reja, që punojnë pa ndalur në mënyrë që premtimet që u jepen qytetarëve t’i kthejmë në vepra edhe më të mëdha për Kosovën”, tha kryetari Limaj.

Nga 14 shkurti Kosova e ka marrë një drejtim pa krye, duke u ndikuar nga njerëz të pa dëshmuar, me premtime boshe, shpifje e mashtrime, që për mision kanë mohimin e shtetit të Kosovës dhe çdo gjeje që është bërë në këtë vend në kohë lirie e shtetndërtimi, ka thënë kryetari Limaj.

Në krye të shtetit janë ata që e kanë mohuar flamurin, stemën, ata që kanë thënë se Kosova nuk do të ketë ushtri, ata që po vazhdojnë të mohojnë e baltosin çdo gjë që është arritur para se ata të vijnë në krye të shtetit, që fatkeqësisht janë pa vizion, pa vullnet pozitiv, e pa ndonjë të kaluar pozitive që lidhet me vendin tonë.

Kosova ka ngecur në zhvillim, ka humbur rrugë, ka humbur partner e ka humbur komunikimin me qytetarët e vet, tha kryetari Limaj.

Ne si Nismë u bëjmë thirrje të gjithëve për një front të përbashkët demokratik, që bashkon forcat politike, qytetarët, patriotët që janë të gatshëm për tu bashkuar rreth një platforme politike dhe ekonomike të qartë. Bëjmë thirrje për një front të përbashkët demokratik për t’i thënë jo edhe më tej rrënimit që po i bëhet shtetit të Kosovës nga kjo elitë mohuese.

Ky front i përbashkët demokratik, do të ketë për mision, hapjen e debatit politik e social, pastaj të shërojë këtë helm që e kanë përhapur një grup njerëzish, përplasjet mes qytetarëve t’i eliminojmë, të bashkojmë popullin rreth kauzave me interes nacional, të kthejmë partneritetin me miqtë ndërkombëtarë, të rikthejmë marrëdhëniet e mira me shtetin amë, me Tiranën t’i harmonizojmë politikat në çdo sferë, të rikonfirmojmë identitetin tonë euroatlantik deri në integrimin e plotë në mekanizmat ndërkombëtar, të fuqizojmë raportet me vendet e rajonit, për çështje që lidhen me të mirën e rajonit, etj, tha kryetari Limaj.

Qeveria Kurti është duke dëmtuar buxhetin e Kosovës, miliona euro për paga, duke qëndruar nëpër zyre e duke mos bërë asnjë punë për Kosovën. Duke qëndruar në zyre, nuk mund të ndërtohen autostrada, nuk mund të ndërtohen shkolla dhe nuk mund të jetësohet asnjë projekt i rëndësishëm për vendin, tha kryetari Limaj.

Kreu i qeverisë është duke bërë një angazhim maksimal në funksion të mashtrimit të popullit të Kosovës dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë, pa e vrarë mendjen se sa shumë dëm është duke i bërë Kosovës dhe të ardhmes së saj, tha kryetari Limaj.

Kryetari Limaj tha se, rruga e tij që ka zgjedhur, me logjikë të shpifjes e frikës, është rrugë e kompromiseve të rrezikshme për Kosovën, është rrugë që e fut Kosovën në kahje pa kthim, dhe nëse ai vazhdon me këtë logjikë, Kosova nuk do të ketë afër as OKB-në, as njohjen nga Serbia.

NISMA është gati që me hapa konkret të shkoj drejt një fronti të përbashkët demokratik për ta ndryshuar e shpëtuar Kosovën nga kjo qeverisje e mashtrimit e mohimit të gjithë historisë së shtendërtimit të Kosovës, theksoi kryetari Limaj.

Në këtë Konventë Politike, para të pranishmëve ka folur edhe sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, i cili, fillimisht ka falënderuar e ka shprehur mirënjohje për strukturat e partisë për angazhimin e madh gjatë gjithë këtyre viteve.

Sekretari Sherifi, gjatë fjalës së tij tha se, po e mbajmë edhe këtë Konventë politike pa zërin e lirisë, pa bacën Jakup Krasniqi, për të cilin jemi të bindur se ai me shokët e tij do të dalin fitues dhe do të kthehen në familjet e tyre.

Sot kemi të bëjmë me dy lloje të politikanëve; ata që kanë realizuar vepra siç edhe kanë premtuar dhe kemi të bëjmë me politikan që janë duke shkelë çdo premtim që kanë dhënë, pra kemi dy lloje politikanësh, atyre të veprave dhe atyre që nuk i mbajnë premtimet e tyre, tha sekretari Sherifi.

Ndërsa, Jehona Rrafshi nga forumi i Gruas së Nismës Socialdemokrate, në një fjalë rasti tha se, Nisma është parti e shkëlqyer për të gjitha gratë e vajzat tonë që kanë ambicie për të shërbyer për vendin përmes partive politike.

Ndërsa, nga forumi i të rinjve të Nismës, Vjosë Isufi, tha se, të rinjtë tanë duhet të qëndrojnë kokë lartë e ballëhapur që i përkasin një organizimi politik si rinia e Nismës, që kanë një rini të shkëlqyer në përbërje, e që janë sy patrembur në misionin tonë të vlerave kombëtare e demokratike.

Në këtë Konventë është shfaqur edhe një video material i përgatitur nga NISMA, ku shpaloset rrugëtimi ndër vite i Nismës Socialdemokrate.