Lajme

Hapja e një klubi kulturor maqedonas në Bullgari rrit tensionet mes dy shteteve

10/30/2022 14:00
nga:G B

Në qytetin e Bllagoevgradit në Bullgari më 30 tetor është hapur një klub kulturor maqedonas me emrin “Nikolla Vapcarov”, si kundërpërgjigje ndaj hapjes së klubeve kulturore bullgare në Maqedoninë e Veriut, me emra të disa personaliteteve nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, që kontestohen nga pala maqedonase.

Klubi kulturor maqedonas në Bllagoevgrad është hapur nga shoqata “OMO Ilinden Pirin”, e cila tubon pjesëtar të pakicës maqedonase, por nuk njihet nga autoritetet bullgare.

Në një deklaratë për media, përfaqësuesi i klubit, Atanas Maznov tha se hapja është bërë “me qëllim të afrimit të dy popujve”. Ai tha se shpreson se derisa bullgarët do të hyjnë në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, edhe minoriteti maqedonas në Bullgari do të fitojë të drejtat e tyre.

“Ky është një klub që do të ndihmojë Bullgarinë të njohë kulturën maqedonase, e bashkë me të edhe popullin maqedonas. Ky klub vërtet mund t’i bashkojë njerëzit dhe të kapërcejë dallimet”, tha Maznov.

Në hapjen e klubit kanë marrë pjesë edhe liderët e partive opozitare maqedonase, Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO DPMNE-së dhe Dimitar Apasiev, kryetar i partisë “E Majta” dhe përfaqësues të kabinetit të presidentit, Stevo Pendarovski.

“Në shekullin 21 askush nuk duhet të ketë dilemë dhe as të flasë fare. E drejta për vetëvendosje duhet respektuar. E drejta jonë për vetëvendosje si maqedonas është e pacenueshme dhe e garantuar me të gjitha aktet ndërkombëtare. Prandaj jemi sot këtu për të mbështetur maqedonasit tanë në Bullgari”, tha Mickoski.

Përfaqësues të qeverisë kanë refuzuar pjesëmarrjen pasi dyshojnë se pas klubit qëndrojnë persona që synojnë “rritjen e tensioneve mes dy shteteve”.

Nga Qeveria kanë thënë se në të ardhmen planifikojnë hapjen e një klubi të ri, por në bashkëpunim me institucionet e Bullgarisë.

Hapja e klubeve ka shkaktuar polemika të vazhdueshme mes dy vendeve duke i quajtur provokime të qëllimshme, ndërsa vendimin e Qeverisë maqedonase për ndalimin e regjistrimit të tyre – Sofja e ka vlerësuar si “cenim të të drejtave të pakicës bullgare”.

Klubi është hapur nën masa të shtuara të sigurisë pasi Lëvizje Kombëtare Bullgare-VMRO kishte organizuar një protestë, ndërsa drejtuesit e komunës së Bllagoevgradit thanë se ngritja e një qendre me emrin e “Nikolla Vapcarovit në qytetin e tyre paraqet “provokim të rëndë nga organizata jolegjitime”.

Hapja e klubeve të tilla kontestohet për shkak të emrave që mbajnë.

Klubet bullgare në Maqedoninë e Veriut janë hapur me emrat “Car Borisi i Tretë”, “Vanço Mihajllov” dhe “Car Ferdinandi”, që njihen si “bashkëpunëtorë të Gjermanisë Naziste” dhe “pushtues të territoreve maqedonase”.

Por, edhe Sofja konteston emrin e klubit maqedonas me emrin e ‘’Nikolla Vapcarov’’, duke e konsideruar si figurë nga e kaluara historike bullgare.

Dy shtetet akoma kanë të pazgjidhura çështjet që kanë të bëjnë me të kaluarën historike.

Sofja ka hequr veton ndaj Maqedoninë së Veriut për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por ka thënë se mund sërish të bllokoj bisedimet nëse realizohet detyrimi me marrëveshjen mes dy vendeve për përfshirjen e pakicës bullgare në kushtetutën maqedonase.