Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën për media pas përfundimit të mbledhjes së kabinetit të tij, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për targat mbetet në fuqi, megjithatë janë bërë disa ndryshime.
“Vendimi për targat ilegale në Kosovë ku në mbledhjen e qeverisë e pas konsultimeve të vazhdueshme me institucionet e sigurisë, kemi bërë vendimin që u miratua, ku nuk ndryshojmë vendimin tonë, zbatimi nis nga 1 nëntor dhe kemi një sekuensim e shkallëzim për moszbatueshmërinë e ligjit e të vendimit qeveritar”, tha Kurti
Kryeministri tha se nga 1 nëntori deri me datën 21 nëntor do të jetë në fuqi masa e qortimit. Pastaj nga 21 nëntori deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes.
Nga 21 janari për dy muaj do të ketë targa provuese dhe pas 21 prillit 2023 nuk do të ketë targa të tilla.
“Targat për KM, GL janë targa ilegale. Qeveria e Kosovës përmes vendimit ka obliguar ata që ti kthejnë në targa RKS”, tha Kurti.


