Lajme

Janjiq: U konfirmuar se në Serbi janë më të fortë ata që duan luftë

10/28/2022 09:00
nga:Y I

Koordinatori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq, ka deklaruar se pasi zëvendëskryeministri i Kosovës dhe shef i ekipit negociator të Kosovës, Besnik Bislimi ka mbërritur në afërsi të Beogradit, policia e ka kthyer në Kosovë, me shpjegimin se shteti i Serbisë “nuk mund të garantojë sigurinë e tij”.

Një shpjegim i tillë dërgon mesazh të keq për qytetarët e Serbisë se një aparat shtetëror i fuqishëm dhe tepër i shtrenjtë nuk mund të garantojë vizitën e një njeriu që erdhi për të folur për Kosovën dhe perspektivën evropiane të rajonit, ka thënë Janjiq, si organizator i takimin ”Kosova dhe perspektiva evropiane”, pjesëmarrës i të cilit duhej të ishte Bislimi.

“Ka pasur miratim zyrtar që kjo vizite të bëhet, por në vendkalimin në Merdare ka filluar rishqyrtimi nëse është lajmëruar diskutimi “Kosova dhe perspektiva evropiane”, Forumi për Marrëdhënie Etnike asnjëherë nuk i ka lajmëruar askujt për takimet dhe nuk ka marrë miratim, por tani del se duhet, edhe pse kjo është kundërligjore”, ka thënë Janjiq.

Ai ka thënë se ka pritur që Bislimi do të mund të vendosë kontakte me publikun e Serbisë dhe të krijojë një mundësi për të biseduar me ata që dëshirojnë.

Kjo mundësi në mënyrë indirekte iu ishte drejtua edhe pushtetit, ka thënë Janjiq, me vlerësimin se ky është një konfirmim i ri se në Serbi dhe në rajon “po jetojmë në një kohë të vështirë të zgjedhjes mes luftës dhe paqes”.

“Nuk po flas për normalizim dhe finesë diplomatike, sepse jemi përballur me zgjedhjen paqe apo luftë. Kam frikë se mesazhi i sotëm tregon se kah po shkon Serbia, se pushteti nuk është i vetëdijshëm për momentin që të bëhet një gjest diplomatik dhe serioz politik i komunikimit dhe të konfirmohet gjithçka që shefi i shtetit Aleksandar Vuçiq ka folur për paqen dhe negociatat”, ka thënë Janjiq.

Ai ka thënë se është konfirmuar se në Serbi janë më të fortë ata që duan luftë.