Lajme

Tensionet në veri për targat/ Flasin ekspertët e sigurisë: Qeveria të ketë plan paraprak – KFOR-i mbron sovranitetin e Kosovës

10/27/2022 21:19
nga:G B

Të dielën e 31 tetorit përfundon afati për regjistrimin e targave në RKS për serbët e Kosovës.

Mirëpo, ky afat është kërkuar të shtyhet për 10 muaj.

Kërkesa e ardhur nga SHBA, QUINT-i dhe BE është kundërshtuar nga Qeveria e Kosovës.

Kryeministri Kurti ka thënë se nuk do të ketë shtyrje të afatit për targat.

Në anën tjetër, vijnë paralajmërime për tensione në veri.

Profesori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami, thotë për Gazeta Blic se rekomandimi vjen nga ndërkombëtarët për shkak të mundësisë së tensioneve në atë pjesë, teksa shton se nuk dihet sa mund të arrihet zbatimi i afatit për targat pa një marrëveshje politike.

“Kanë mbetur edhe tri ditë në implantimin e marrëveshjes për targat nga të vjetra në të reja nga serbët. Të gjithë akterët relevantë janë duke kërkuar që të mos ketë tensione në veriun e Kosovës dhe mendoj që vendimi i Qeverisë është vendim i drejtë. Besoj se ndërkombëtarët kanë bërë një rekomandim që të shtyhet afati për 10 muaj dhe Esobar e tha këtë në vizitën e fundit. Besoj që Qeveria e Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me QUINT-in, SHBA-të dhe ne mund të japim një vlerësim që duhet zbatuar por çështja është se sa do të arrihet zbatimi i vendimit për targat pa një marrëveshje politike. Janë 15, eventualisht 20 automjete që e kanë bërë regjistrimin e targave RKS, pra efekti nuk është arritur. Kjo tregon se duhet një marrëveshje politike. Dihet qëndrimi i Serbisë si qëndrim fashist dhe qeveria e ka ndërruar vetëm emrin por që është e njëjtë me atë të Millosheviqit”, vlerëson ai.

Sipas Islamit, tensione mund të ketë, por që shpreson që Qeveria dhe institucionet e sigurisë kanë plan paraprak të sigurisë.

“Unë mendoj se mund të ketë tensione në veri por nëse eventualisht Qeveria ka vendosur ta implementojë afatin për targat, unë shpresoj që Qeveria dhe institucionet e sigurisë kanë plan paraprak në mënyrë që të mos bllokohet ajo pjesë e veriut. Mund të ketë tensione, e pamë që edhe EULEX u deklarua për struktura paraushtarake në veriun e Kosovë por krejt këto po e them që Qeveria e Kosovës i ka parasysh dhe unë besoj dhe shpresoj që të jenë të përgatitur me përgjegjësitë e veta dhe ta zbatojë ligjin në tërë territorin e Kosovës”, thekson profesori.

Ai shton se nuk pret që të ndodhë diçka që të cenojë sigurinë e vendit, derisa në gatishmëri është dhe KFOR për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.

“Nuk pres diçka të jashtëzakonshme të ndodhë, është KFOR-i që është i mandatuar që ta ruajë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës. Nuk besoj dhe nuk shpresoj që mund të ketë diçka që ta cenojë sigurinë e vendit”, deklaron Avni Islami për Gazeta Blic.

Ndërsa, eksperti i sigurisë Drizan Shala, thotë për Gazeta Blic se vendimi për konfiskimin e targave ilegale duhet të zbatohet nga policët e rendit në veri.

“Vendimi për konfiskim e targave ilegale duhet ta zbatojnë policët e rendit (stacionet policore në nivelin komunal, stacioni i policisë rajonale të asaj pjese) të mbështetur nga NJRSH, NJSO në perimetrin e sigurisë te pika kontrolli”, thekson ai.

Sipas Shalës, problemi do të jetë forma e qëndrueshmërisë së zbatimit dhe jo forma e zbatimit.

“Pra, problemi do të qëndrojë sa do të jenë lojal këta “policë” të cilët në të kaluarën janë dëshmuar që ju kanë shërbyer grupeve kriminale, strukturave paralele të sigurisë? Problemi nuk do të jetë forma e zbatimit, por do të mbetet forma e qëndrueshmërisë së zbatimit nëse merret për bazë pengesat politike që do të determinojnë procesin”, vlerëson eksperti i sigurisë.

Ai përmend edhe djegien e veturave në veri, teksa thotë se bllokimi i gjendjes në atë pjesë mund a sjellë situatën deri të një ballafaqim në mes ligjit dhe anarkisë.

“Veprimi i grupeve kriminale të cilat kanë kryer këtë (djegies së veturave) veprim në veri të vendit, kanë pranuar instruksione konkrete që çdo qytetar/veturë që ka targa 02 kryesisht të digjet në veri të vendit dhe që pronar është nga komuniteti serb. Bllokimi do të prodhojë situatë e cila mund të shpie situatën deri të një ballafaqim në mes ligjit dhe anarkisë”, deklaron Drizan Shala./Gazeta Blic/