Lajme

Janjiq: Kthimi i Bislimit është një porosi e keqe

10/27/2022 18:18
nga:Astrit Gashi

Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike tha se takimi në të cilin Besnik Bislimi, zevendëkryeministri i Kosovës dhe shefi i ekipit negociator të Prishtinës në dialogun me Beogradin, do të merrte pjesë sot, i organizuar nga ky Forum, ka qenë i përgatitur për një kohë të gjatë, por Bislimi kishte mbërritur afër Beogradit, kur policia e ndaloi kolonën dhe e ktheu në Prishtinë me shpjegimin se nuk mund të garantonin sigurinë e tij, raporton Kosovo Online, përcjellë GazetaBlic.

Janjiq tha se në Merdarë tashmë ka filluar një hetim për atë sa a ka qenë i lajmëruar tubimi te autoritetet.

“Ishin ftuar edhe deputetë dhe Petar Petkoviq dhe zyrtarë të tjerë serbë, por sigurisht që nuk u përgjigjën”, tha Janjiq.

Ai ka deklaruar se zyrtari ndërlidhës për Kosovën ka bërë gjithçka që ishte e nevojshme me autoritetet serbe.

“Shpjegimi zyrtar është se vendi im nuk mund të garantojë sigurinë e Bislimit. Nuk mund të habitem, por një shpjegim i tillë dërgon një porosi të keqe për qytetarët e Serbisë. Ky takim nuk është i pari që ka mbajtur Forumi. Në një takim të tillë ne vitin 2014 Edi Rama ishte “akullthyes”. Prisja te ishte keshtu edhe me Bislimin. Kemi konfirmimin se po jetojmë në një kohë të vështirë mes luftës dhe paqës. Ky ishte momenti për të bërë një gjest serioz dhe për të konfirmuar atë që Aleksandar Vuçiq tha sot në mëngjes për paqen”, tha Janjiq.

Siç vlerësoi ai, u konfirmua se “shteti i thellë” dhe ata që janë për luftë janë më të fortë.

“Unë e prisja këtë. Mund të them se ky është problemi më i vogël që nuk do të zhvillohet seanca e dialogut në Beograd. Ky është një alarm serioz për qeverinë e re dhe shefin e ri të policisë, të cilin ju kërkoj ta vlerësoni si politikan” ka thënë Janjiq.