Ismet Kryeziu nga KDI thotë se politika dhe institucionet e Kosovës kanë më pasku nevojë për situata të cilat potencialisht mund të eskalojnë në dhunë dhe ti shërbejnë minimit të arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, raporton GazetaBlic.
“Në këtë periudhë kur partnerët tanë ndërkombëtar kanë shtuar angazhimin maksimal për të kontribuar në arritjen e një marrëveshje brenda muajve apo javëve, më së paku politika dhe institucionet e Kosovës kanë nevojë për situata të cilat potencialisht mund të eskalojnë në dhunë dhe ti shërbejnë minimit të arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve”, shkruan Kryeziu.
Që të ketë sa më parë normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, sipas Kryeziut pozita dhe opozita duhet të tregojnë më shumë përgjegjësi.
Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve do të jetë rruga më efikase e cila do çojë në integrimin e serbëve në Republikën e Kosovës.
“Politikanët nga opozita dhe pozita, institucionet tona, do duhet të tregojnë përgjegjësi e veprime serioze, angazhim maksimal që dialogu të ketë afat sa më të afërt për përmbyllje dhe përmes dialogut të arrihet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përfundimi i dialogut dhe normalizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve do të jetë rruga nëse jo e vetmja, më efikasja e cila do çojë në integrimin e serbëve në Republikën e Kosovës”, shkruan tutje Kryeziu.
“Përndryshe, nëse vullnetin e qytetarëve Serb të Kosovës dëshirojmë ta shohim të shkëputur në tërsi nga politikat e shtetit Serb, përpjekjet tona për integrimin e tyre do jenë të barasvlershme gati thuajse me dështim. Integrimi i serbëve nuk do të ndodhë me tabela te automjeteve, e më së paku në mënyrë të kushtëzuar”, përfundon Kryeziu.


