Lajme

Osmani për kryeprokurorin: Absurde të dekretohet i kontestuari në gjykatë

10/26/2022 21:45
nga:G B

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e konsideron si absurde dekretimin e Blerim Isufajt si kryeprokuror të shtetit, derisa procesi i zgjedhjes po kalon nëpër gjykatë.

Pas ceremonisë së mbjelljes së drunjve në aksin rrugor tek Aeroporti i Prishtinës, Osmani foli edhe për mosdekretimin e kryeprokurorit, duke thënë se si e parja e shtetit është për të respektuar ligjin dhe Kushtetutën.

“Këshilli Prokurorial është i njoftuar edhe në takimin e fundit, por edhe me shkrim. Është absurde të pritet që të dekretohet një proces, i cili është duke u kontestuar në gjykatat e Kosovës. Kjo nuk ndodh në një vend ku sundon ligji e unë jam presidente që e respektoj ligjin dhe kushtetutën”, ka deklaruar presidentja Osmani.

Ndryshe, Blerim Isufaj kishte fituar më së shumti pikë për t’u bërë kryeprokuror nga ana e Këshillit Prokurorial. Kundër vendimit për Isufajn janë ankuar dy kundërkandidatët Shqipdon Fazliu e Armend Hamiti, të cilët më pas e kishin humbur rastin në kushtetuese. Aktualisht, Blerim Isufaj është kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës.