Përfaqësuesi i paditësit M.Zh. avokati Visar Vehapi ka kërkuar që të bëhet përjashtimi i gjyqtares Valentina Sopjani nga çështjen ku është propozuar përsëritja e procedurës.
“Gjyqtarja seancën nuk e mban për të vlerësuar kundërshtimin e masës së sigurisë por me nguti dhe nxitim i shkel procedurat dhe kalon në vendosjen e propozimit për te cilën nuk është kompetente dhe e udhëzon përfaqësuesin e AKP-së se si të përformoj. Këto na bindin se kjo gjyqtare nuk është objektive andaj kërkoj përjashtimin e gjyqtares në këtë çështje”, ka thënë avokati Vehapi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Gjyqtarja ka caktu seancën për këtë çështje në Festën e Pashkëve, e pastaj pas disa muasjsh”, ka shtuar Vehapi.
Edhe në seancën e kaluar përfaqësuesit e paditësit M.Zh, avokatët Lazic Dobrica, Jovana Filipoviq dhe Visar Vehapi, kanë kërkuar që lënda ku ata po kërkojnë përsëritjen e procedurës së përfunduar të procedohet në Gjykatën Supreme, për caktimin e një gjykate tjetër për vendosjen lidhur me këtë çështje.
Avokati Vehapi e ka akuzuar gjykatësen Sopjani, për shkelje të detyrës zyrtare.
“Kjo gjykatë e ka caktuar një masë të përkohshme të sigurimit me datën 24 shtator 2019. Kundër këtij vendimi kemi paraqitur kundërshtim, andaj gjykatësja ka qenë e obliguar që në afat prej 5 ditësh të vendos për kundërshtim, mirëpo gjykata e nderuar nuk ka vendosur për kundërshtimin për më shumë se 3 vite e që nuk mund të gjendet ndonjë rast i tillë askund, si mund te quhet kjo ndryshe pos keqpërdorim i detyrës zyrare”, ka thënë avokat Vehapi.
Gjithashtu në seancë ka prezantuar edhe avokati i ndërhyrësve F.B. dhe B.P, Sabri Kryeziu i cili tha se ndërhyrja e ndërhyrësve është bërë në fazën kur është paraqitur mjeti i jashtëzakonshëm nga ana e AKP-së.
Avokati Kryeziu tha se ndërhyrësit kanë paraqitur edhe propozimin e përsëritjes së procedurës për të cilin kanë legjitimitet dhe të drejtë procedurale.
Avokati Kryeziu e theksoi çështjen se si palë e paditur sipas aktgjykimit të kundërligjshëm C.nr.2023/07 është Republika e Serbisë, e cila sipas tij nuk ka legjitimitet as procedural as material as sipas kornizës kushtetuese e cila ka qenë në kohën e administrimit ndërkombëtar dhe sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, legjitimitetin për të gjitha ndërmarrjet shoqërore dhe publike e ka Republika e Kosovës.
Përfaqësuesi i AKP-së avokati Naser Krasniqi ka deklaruar se deri më tash nuk ishte evidentuar Republika e Serbisë si pronare e kësaj prone për shkak të faktit se çështja ishte e gjykuar në vitin 1959 ku ishte Komuna e Prishtinës e paditur të cilën e ka mbrojtur avokati publik i asaj kohe dhe Ndërmarrja Bujqësore e “Bujqësia”.
“E konsideroj që propozimi për përsëritje të procedurës është brenda afatit ligjor, nga aktvendimi i Dhomës së Posaçme e kemi kuptu se është çështje e gjykume në baze te kësaj konsideroj se propozimi ka bazë dhe fakte të mjatueshme dhe konsideroj të afatshme”, tha përfaqësuesi i AKP-së.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 9 shtator 2008, ka marrë aktgjykim me të cilin ka aprovuar kërkesëpadinë e paditëses Z.Zh. Sipas aktgjykimit, është vërtetuar se e njëjta është pronare e pjesës kadastrale me sipërfaqe prej 1.00.00ha, arë e klasës III, në vendin e quajtur “Jagnjilo”, e regjistruar në Komunën e Prishtinës në masa dhe kufij. Aty thuhet se e paditura-Republika e Serbisë dhe Ndërmarrja për Tregti dhe Shërbime “Sipad-Komerc” nga Beogradi i ri, janë të detyruara t’ua pranojnë këtë të drejtë paditësve dhe t’ia dorëzojnë pronën e paluajtshme brenda 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Ndaj këtij vendimi Agjencia Kosovare e Privatizimit kanë bërë propozim për përsëritjen e procedurës.
Në këtë propozim thuhet se, më 2 nëntor 2012, ka ushtruar mjetin e jashtëzakonshëm-propozimin për përsëritjen e procedurës kundër aktgjykimit C.NR-2023/07, të datës 9 shtator 2008, me të cilin ka përfunduar çështja juridike e Z.Zh. dhe trashëgimtarëve të saj të përfaqësuar nga avokati Ragip Zeneli, ndaj të paditurave-Republika e Serbisë dhe ndërmarrja “Shipad Komerc”, për dy arsye: cenimin esencial të dispozitave të procedurës kontestimore dhe gjetjen e provave të reja.


