Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, që mbulon politikën amerikane për Ballkanin Perëndimor, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka folur rreth hetimit që ka ka kërkuar SHBA për Sali Berishës nga institucionet shqiptare.
Escobar tha se vendimi për kreun e Partisë Demokratike u mor pasi u gjet korrupsion. Ai u bëri thirrje institucioneve të hetojnë mbi të dhe mbështetësve të Partisë Demokratike të mendojnë mbi imazhin që përciellin nëse kanë në krye dikë të shpallur për korrupsion.
Me një postim në Facebook, kreu i PD, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me deklaratën e Escobar ku shprehet se Escobar “përsëriti shpifjet ndaj meje përmes Zërit të Amerikës, por si gjithmonë, duke mos përcjellë dot qoftë edhe një fakt të vetëm”.
“Dezignimi i Sali Berishës pa asnjë provë, fakt apo dokument përsëris se është rezultat i lobimit korruptiv mafjoz të Edi Ramës dhe protegesë së tij George Soros, si hakmarrje e verbër politike pasi unë në vitin 2017 kam kërkuar shpalljen non grata të George Soros dhe kam kundërshtuar projektet e tij të ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu, kam kundërshtuar Ballkanin e Hapur si projekt serbo rus, si dhe reformën e drejtesisë, e cila sot ka shndërruar drejtesinë shqiptare në një degë të diskretituar para shqiptarëve të ekzekutivit të vendit.”, tha Berisha.
Berisha shprehet se shpallja e tij non-grata, 8 vite pasi kishte hequr dorë nga çdo rol udhëheqës dhe vendimmarrës në Partinë Demokratike, kishte dhe ka si qëllim kryesor të ndihmohej qeveria e Edi Ramës.


