Analiza e Peter Schmeichel, një ish-portier që fitoi Champions League me Manchester United (1999), thotë se skuadra e PSG’së nuk do të mund ta fitojë këtë trofe.
Për danezin ky është një trofe që Paris Saint-Germain vështirë se do ta fitojë, të paktën derisa të zgjidhë problemet që kanë në sistemin e mbrojtjes, përcjell GazetaBlic Sport.
“Për sa i përket fitimit të Ligës së Kampionëve, problemi i PSG-së u shfaq në ndeshjen e djeshme [fitore 7-2 kundër Maccabi Haifa]. Ata po fitonin me 4-0, papritmas rezultati ndryshoi në 4-2. Është një ekip që duhet të shënojë shumë gola për të fituar ndeshje dhe kjo nuk ndodh gjithmonë”, tha ai.
Schmeichel shpjegon se si një treshe e ëndrrave në sulm, e përbërë nga Lionel Messi, Kylian Mbappé dhe Neymar, mund të kthehet në një makth në mbrojtje:
“Mendoj se mbrojtja e PSG-së është e tmerrshme dhe kjo është gjithashtu faji i lojtarëve sulmues. Mund të shihet se ata ndihmojnë shumë pak në mbrojtje. Të gjitha skuadrat e tjera – Bayern, Manchester City… – sulmojnë me njëmbëdhjetë dhe mbrohen me njëmbëdhjetë. Në futbollin modern kjo është thelbësore. Në ndeshjet kundër skuadrave si Real Madrid apo Manchester City, ky mund të jetë problem”, përfundoi danezi.
/GazetaBlic Sport/


