Lajme

Fejza: Projektligji për vendosjen e çmimit tavan nuk e shkel Kushtetutën

10/25/2022 19:34
nga:Astrit Gashi

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, tha se projektligji për vendosjen e çmimeve tavan nuk e shkel kushtetutën.

Sipas saj, ky projektligj ka për synim që të ketë një marzhë të fitimit e cila nuk do jetë e përhershme.

“Projektligji për vendosjen e çmimit tavan synon që të ketë një marzhë të fitimi e cila nuk është e përhershme, mirëpo është në një periudhë të caktuar në kuadër të së cilës kemi çrregullim të gjithë sistemit të furnizimit, pra edhe të ofertës edhe të kërkesës. Nuk mendoj që ky projektligj e shkel kushtetutën”, deklaroi Fejza në Tëvë1.

Fejza tha se duke u bazuar nga rrethanat se si po zhvillohet jeta ekonomike dhe sociale në Kosovë, është e domosdoshme vendosja e çmimit tavan edhe për produktet esenciale, prandaj ajo tha se ky projektligj duhet të miratohet.

Ndërkaq, duke komentuar mungesën e kuorumit për miratimin e këtij projektligji në Kuvend, Fejza deklaroi se kjo problematikë nuk është përgjegjësi vetëm e një grupi parlamentar, por e të gjithë deputetëve.

“Po ashtu, kjo çështje ndikohet edhe nga shumë faktorë tjerë, nganjëherë edhe nga vetë puna e Kuvendit, i cili përveç që e ka seancën plenare, ka edhe komisione, dëgjimet e takimet në të njëjtat orare, ndonjëherë edhe takime të ndryshme jashtë vendit, e të gjitha këto shkaktojnë mungesë të kuorumit në seancë”, shtoi tutje Fejza