Lajme

Arrestohet një avokat dhe një person tjetër, dyshohen për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh

10/25/2022 16:51
nga:G B

Dy persona, një prej tyre avokat, janë arrestuar për mashtrim pas hetimeve nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Kurse, njëri dyshohet edhe për falsifikim të dokumenteve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimit dhe aplikimit të masave të fshehta, në koordinim me Policinë e Kosovës-Departamentin për Hetimin e Krimeve Ekonomike, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar personat me inicialet I.L., dhe M.T., (avokat), për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale Mashtrimi, ndërsa e dyshuara I.L., dyshohet se ka kryer po ashtu, veprën penale Falsifikimi i dokumenteve”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Personat dyshohet se mashtruan viktimën duke ia paraqitur një certifikatë të gjuhës gjermane që ka qenë e falsifikuar.

“Dyshohet se në mars të vitit 2021 në Graçanicë, pas një marrëveshje p​araprake dhe në bashkëkryerje, me qëllim që vetit t’i sjellin përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme e kanë vënë në lajthim një të dëmtuar, përmes paraqitjes së fakteve të rreme, ku të njëjtit i kanë siguruar për vajzën e tij një certifikatë të gjuhës gjermane kinse e lëshuar nga Instituti “Goethe”, e cila pas verifikimit nga Ambasada përkatëse ka rezultuar e falsifikuar, çka me këtë të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Personi me inicialet I.L., dyshohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka përpiluar certifikatën e gjuhës gjermane, kinse e lëshuar nga Instituti “Goethe”.

Të dyshuarit ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh.