Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese në Kosovë, Enver Hasani, në Pressing të T7 ka folur për draftin gjerman për asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ai tha se nëse miratohet ashtu siç është drafti, atëherë “prishet rregullimi i brendshëm” të Kosovës.
“Nëse miratohet siç është, e prish rregullimin e brendshëm të shtetit të Kosovës, e bën Kosovën shtet regjional”, tha Hasani.
Ndër të tjerash, Hasani tha se statuti i asociacionit sipas draftit gjerman “kërkon të ndërrohet forma e shtetit”.
“Ky statut siç është nuk e prek as pavarësinë, as sovranitetin, as integritetin territorial, për shkak se ti mundesh me qenë edhe i pavarur, edhe sovran, edhe me pas integritetin brenda… Ti mundesh me qenë i pavarur, por nuk je sovran dhe anasjelltas… Ky statut kërkon me ndërru formën e shtetit”, tha ai.
“Nëse e pranon këtë statut, legjitimiteti politik i serbëve lokalë veçohet prej çdo legjitimiteti politik të çdo komuniteti në Kosovë. Pra nuk është një legjitimet kushtetues, është tërësisht politik që nuk ka për pikë referimi në asnjë sferë nga organet qendrore. E dyta ajo nuk është zgjidhje e problemit, por uverturë për një fazë të mëvonshme të luftës politike së Serbisë përmes serbëve lokalë duke përdorë ata. Dhe aty del si një zgjidhje e përkohshme. E treta, që është më e rëndësishmja, është simptomi i parë i rezultatit të dialogut, që dmth kemi të bëjmë me dialog gjithëpërfshirës, por jo që s’është përfundimtar… për çështje që janë të hapura që nga viti 2011 e këndej”, deklaroi Hasani.


