Lajme

Propozuesit kërkojnë caktimin e masës së sigurimit në pronën e lënë nga babi i tyre i ndjerë

10/24/2022 20:20
nga:G B

Propozuesit e sigurimit N, I,S,H,A,T,B.D, M.P, F.B dhe E.K, kërkojnë që t’i ndalohet kundërshtarit të sigurimit L.Z tjetërsimi i paluajtëshmërisë kontestuese, të cilën e kanë në posedim që nga viti 1949 dhe i është lënë nga babi i tyre i ndjerë A.D.

Në këtë seancë nuk ka qenë prezent kundërshtari i propozimit, ndërsa lidhur me propozimin për masën e sigurimit ende nuk ka kthyer përgjigje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo gjykatësi Bujar Dobërdolani ka bërë të ditur se përfaqësuesi i L.Z, avokati Miftar Islami me parashtresat e 23, 28 shtator 2022 dhe 3 tetor 2022, ka bërë rregullimin e padisë në aspektin subjektiv duke paraqitur si palë V.Z., V.Q dhe F.B.

Një kopje të kësaj parashtrese gjykatësi Dobërdolani ia ka dorëzuar edhe përfaqësuesit të propozuesve të sigurimit avokatit, Rexhep Bajrami.

Tutje avokati Bajrami, ka thënë se meqë gjendja në repartin kadastral është ndryshuar i duhet që të bëjë rregullimin e kundërpadisë ashtu që përpos kundërpaditurit L.Z do t’i përfshijë si kundër të paditur edhe V.Q, V.Z. dhe F.B.

Pas kësaj i njëjti i ka propozuar gjykatës që të bëjë caktimin e masës së përkohshme të sigurimit ashtu që kundërshtarëve të sigurimit t’iu ndalohet tjetërsimi i palujtëshëmrisë kontestuese ngastrën kadastrale 2708/2, dhe çfarëdo shenje apo ngarkese.

Sipas Bajramit, në kontest janë të përfshira tri objekte banimi që nga vitet 2000 nga ana e propozuesve të sigurimit si dhe objektet ndihmëse me vlera të madha, investimet që i kanë bërë pala propozuese i kanë bërë duke menduar se prona është e tyre.

Për fund ai ka shtuar se për mënyrën se si e kanë bërë këtë padi ekziston edhe lënda penale e cila akoma nuk është përfunduar, andaj sipas tij, ekziston rrezik i vërtetë real që kundërshtarët e sigurimit të përdorin edhe metoda tjera për ta arritur qëllimin.

Gjykatësi Dobërdolani e ka lejuar zgjerimin e padisë në aspektin subjektiv.

I njëjti ka konstatuar se seanca dëgjimore ka përfunduar sa i përket vendimit lidhur me këtë çështje gjykata do të vendos në afat sa më të shkurt kohor.

Sipas parashtresave të 23, 28 shtator 2022 dhe 3 tetor 2022, V.Z, V.Q. dhe F.B. kanë kërkuar nga gjykata që t’iu pranohet statusi i palëve paditëse bashkë më L.Z., pasi që sipas tyre janë bashkëpronarë në pronën kontestuese.

Më 19 gusht 2022, kundërpaditësit kanë N, I,S,H,A,T,B.D, M.P, F.B dhe E.K kanë parashtruar propozimin e masës së sigurimit ku thuhet se kërkojnë që t’i ndalohet kundërshtarit të sigurimit Zariqi tjetërsimi i paluajtëshmërisë kontestuese, në persona tjerë apo çfarëdo fshehje ngarkesa apo disponimi po ashtu t’i ndalohet edhe që të kryej veprime apo çdo aktivitet me të cilat mund të dëmtohet paluajtëshmëria kontestuese e shënuar më sipër në mënyrë që të ruhet gjendja ekzistuese e rrethanave.

Po ashtu sipas propozimit, meqenëse Z. ka potencial për t’i ndërmarrë veprimet e këtilla duke bërë tjetërsimin e paluajtëshmërisë kontestuese në pronarë tjerë pa dijeninë e propozuesve të masës së sigurimit, i kanë propozuar gjykatës që sa më parë të caktohet masa e përkohshme e sigurimit.

Ndryshe, sipas padisë së 8 majit 2006, paditësi L.Z. ka paditur tashmë të ndjerin H.D dhe po kërkon lirimin dhe dorëzimin e paluajtëshmërisë, të cilën Z. e ka trashëguar nga babai i tij S.Z dhe këtë tokë e ka pasur në posedim dhe mbajtje për më shumë se 15 vite dhe përfundimisht deri në pjesën e parë të vitit 1999, kur i padituri e ka uzurpuar nga H.D dhe ka vazhduar që nga viti 2000 në këtë ngastër ka ndërtuar dy objekte banesoro-aferiste ilegalisht.

Kurse, sipas kundërpadisë së 7 shkurtit 2008 të kundërpaditësve-të paditurve, H.D, S.D, N.D, S.D. ndaj paditësit- kundërpaditurit L.Z, thuhet se ky i fundit asnjëherë nuk ka qenë në posedim të patundëshmërive kontestuese.

Sipas kundërpadisë thuhet se kundërpaditësit-të paditurit  janë në posedim të pandërprerë të patundëshmërisë lëndorë që nga viti 1949 kur këtë patundëshmëri e ka blerë pronari i mëparshëm i ati i tyre A.D.

Andaj kundërpaditësit – të paditurit kanë kërkuar që të refuzohet padia dhe kërkesëpadia e paditësit Z. dhe të vërtetohet se H.D, S.D., N.D, S.D. janë pronar legjitim të ngastrës kadastrale nr.2798/2 me sipërfaqe prej 0.47.78 ha dhe që të detyrohet paditësi Z. që të njëjtëve t’ua njeh të drejtën e pronës legjitime në patundëshmërinë kontestuese.