Prokurori Burim Çerkini, në fjalën përfundimtare ka propozuar që Artan Avdullahu, Bekim Krasniqi, Shkëlzen Zariqi dhe Vedat Rexhepi, të akuzuar për vendosjen e granatave në një lokal në Prishtinë, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Në anën tjetër, mbrojtësit e të akuzuarve thanë se të mbrojturit e tyre nuk kanë kryer veprat penale që u vihen barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Avdullahu po akuzohet se i shtyrë nga të akuzuarit Krasniqi, Zariqi dhe Rexhepi, kishte vendosur granata dore dhe bombola gazi në lokalin e të dëmtuarit Hajrullah Kryeziu, të cilat kishin shpërthyer duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Në seancën e së hënës, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, palët në procedurë dorëzuan fjalët e tyre përfundimtare në formë të shkruar, të cilat i elaboruan në pika të shkurta.
Prokurori Çerkini tha se mbetet në tërësi pranë aktakuzës dhe provave. Sipas tij, nga provat është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale të përshkruara si në aktakuzë dhe propozoi që të njëjtit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Këtë deklarim të prokurorit, e mbështeti edhe vetë i dëmtuari Hajrullah Kryeziu, si dhe mbrojtësi i tij, avokati Ramë Gashi.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Avdullahu, avokati Arianit Salihu tha se sipas tij prokuroria nuk ka arritur të bind gjykatën se i mbrojturi i tij ka kryer veprat penale të cilat i vihen barrë.
Mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Elbi Imeri e dorëzoi fjalën e tij përfundimtare me shkrim dhe tha se për shkaqe shëndetësore nuk do ta elaborojë të njëjtën.
Ndërkaq, i akuzuari Krasnqi tha se e ka lexuar fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij, duke shtuar se e mbështet të njëjtën.
Avokati Florent Latifaj, i cili në këtë çështje e mbron të akuzuarin Zariqi, tha se i mbrojturi i tij nuk ka lidhje me këtë rast, duke shtuar se sipas tij i njëjti duhet të lirohet nga akuza, deklarim ky që u mbështet edhe nga i akuzuari.
“Këto akuza janë të tepërta dhe janë vetëm lojëra”, shtoi i akuzuari Zariqi.
Në fund, mbrojtësi i të akuzuarit Rexhepi, avokati Gazmend Halilaj, po ashtu tha se i mbrojturi i tij nuk ka pasur asnjë interes për të kryer veprën penale që i vihet barrë, duke propozuar që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza.
Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje u caktua të mbahet më 28 tetor 2022.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 22 dhjetor 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Artan Avdullahu akuzohet se më 25 maj 2010 dhe 7 shtator 2010, në rrugën “28 Nëntori” në lagjen “Dardania” në Prishtinë, pranë hyrjes së Kompanisë së Sigurimeve “ICT”, me qëllim të kërcënimit dhe frikësimit, në hyrje të lokalit të të dëmtuarit Hajrullah Kryeziu ka vendosur dy herë radhazi granata dore dhe bombola gazi.
Aty thuhet se më 25 maj 2010, i pandehuri Avdullahu ka vënë dy granata dore dhe një bombolë gazi, ku njëra granatë ka shpërthyer rreth orës 02:00 pas mesnate dhe tjetra granatë është gjetur e pashpërthyer. Ndërsa, më 7 shtator 2010, thuhet se ka vendosur një granatë dore dhe një bombolë gazi, të cilat edhe kanë shpërthyer, me ç’rast për pasojë kanë shkaktuar rrezikim të përgjithshëm për jetën e njerëzve, pasurinë e tyre dhe janë shkaktuar dëme materiale në muret, dyert dhe dritaret e objektit aty pranë.
Me këtë, Avdullahu akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 328, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, Artan Avdullahu, Bekim Krasniqi, Shkëlzen Zariqi dhe Vedat Rexhepi akuzohen se në kohën dhe vendin e përshkruar si në dispozitivin e parë, duke vepruar si anëtarë të grupit, me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, kanë kërcënuar rëndë të dëmtuarin Hajrullah Kryeziu, që të veprojë në dëm të pasurisë së tij.
Në aktin akuzues thuhet se i pandehuri Avdullahu ka vendosur dy herë radhazi granata dore dhe bombola gazi në pronën e të dëmtuarit Kryeziu, i shtyrë nga të pandehurit Krasniqi, Zariqi dhe Rexhepi.
Krejt kjo, thuhet se është bërë me qëllim të kërcënimit dhe frikësimit që i njëjti të tërhiqet nga prona e tij, e cila gjendet në fshatin Milloshevë, në sipërfaqe prej 91 hektarë, e privatizuar në valën e 34 të privatizimeve të AKP-së, ku i dëmtuari kishte 25% të sipërfaqes të përgjithshme të tokës, e që kjo përqindje është bazuar në marrëveshjen e bërë në mes të pandehurit Bekim Krasniqi dhe tani të dëmtuarit Hajrullah Kryeziu.
Me këtë, të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprën penale “Detyrimi”, e mbetur në tentativë, nga neni 267, paragrafi 2 lidhur me nenin 1 dhe nenin 20 të Kodit Penal.


