Franck Ribery konfirmoi se ishte për shkak të problemeve fizike që vendosi këtë të premte të shpallë në moshën 39-vjeçare fundin e karrierës së tij si futbollist.
“Edhe pse kam bërë maksimumin në tre muajt e fundit, dhimbja në gju është përkeqësuar dhe mjekët kanë qenë të qartë: nuk kam zgjidhje tjetër veçse të ndaloj së luajturi. Prandaj jam i detyruar t’i jap fund karrierës”, ka thënë francezi në një video të postuar në rrjetet sociale.
Ribery, i cili kishte kontratë me Salernitanën deri në fund të sezonit, do të qëndrojë në klub, duke iu bashkuar stafit të trajnerëve të drejtuar nga Davide Nicola.
“Është fundi i një kapitulli, si lojtar, por nuk është fundi i historisë sime profesionale. Kështu që më mbetet të them lamtumirë dhe do të shihemi sërish së shpejti, në fillim të një kapitulli të ri”, shtoi Ribery në mesazh, ku falënderoi shokët e skuadrës dhe trajnerët me të cilët ka punuar gjatë gjithë karrierës së tij.
/GazetaBlic Sport/


