Sporti

Hap pas hapi, si u grabit shtëpia e Theo Hernandez, zbardhen detaje nga terrori që përjetoi gruaja dhe djali 6 muajsh

10/20/2022 23:32
nga:Lorik J

Mbrojtësi i Milanit, Theo Hernandez, i cili së fundmi u shpërngul me familjen e tij aty, ende nuk kishte punësuar një shërbim privat sigurie. Rezidenca e tij u grabit parmbrëmë me dhunë, menjëherë pas daljes për një darkë me shokët e skuadrës. Incidenti i rëndë ndodhi në Cassano Magnago, vilën e futbollistit kuqezi, të cilën e bleu vetëm një muaj më parë.

Nga tapeti i kuq i “Aic Grand Gala” e deri te grabitja me armë në shtëpinë e blerë vetëm një muaj më parë është trajektorja fatkeqe e francezit. Të gjitha në 24 orë. Mbrojtësi i Milanit dhe influencuesja me një milion ndjekës Zoe Cristofoli formuan çiftin magjepsës të eventit të hënën, kur lojtari u shpërblye për golin më të mirë të sezonit të kaluar.

Mbrëmjen e së martës, partnerja e lojtarit kuqezi përjetoi momente terrori, duke luftuar me të paktën katër kriminelë, të cilët hynë në shtëpinë ku familja jetonte vetëm prej disa javësh. Francez ishte larguar nga shtëpia e Cassano Magnago, një qytezë e vogël në provincën e Vareses, një “hedhje guri” nga Milanello, për të shkuar në darkën e grupit të klubit.

Kalojnë disa minuta (dhe rrethana, sipas hetuesve nuk është e rastësishme) kur në shtëpi hyn një bandë prej katër personash të maskuar me kapuçë, dukshëm të vëmendshëm ndaj lëvizjeve të futbollistit. Në shtëpi ishin Zoe, Theo Jr i vogël 6 muajsh, dadoja dhe kuzhinierja. Të armatosur me një pistoletë, ata udhëzuan partneren e lojtarit të hapë kasafortën.

Të përballur me rebelimin e gruas, mes britmave dhe kërcënimeve, ata nuk ngurrojnë ta rrëmbejnë atë, pavarësisht se kishte fëmijën në krahë. Ishte dadoja, ajo që në panik e bindi Zoen t’i kënaqte grabitësit. Brenda pak minutash, hajdutët mblodhën një koleksion orësh, morën paratë dhe bizhuteritë, përpara se të zhdukeshin pa lënë gjurmë.

Mësohet se është një plaçkë prej disa qindra mijëra eurosh. Në orën 20:39, në rrugën periferike të Cassano, nga ku shikojnë një sërë vilash, Theo Hernandez kthehet me nxitim, nga frika për familjen e tij. Menjëherë mbërrijnë punonjësit e sigurisë së Milanit dhe policia, duke ekzaminuar kamerat e vëzhgimit. Ata morën në pyetje edhe Zoe, e tronditur nga ajo që ndodhi.

Çifti deri vonë banonte në një vilë në Guanzate (Como), ku kishin pasur disa probleme. Ndaj tyre u ankuan fqinjët, sepse pitbulli që mbanin në shtëpi ishte shumë agresiv. Lojtari dhe partnerja e tij vendosën të jetonin në provincë, në gjelbërim, në Cassano, pikërisht për të lejuar që dy qentë të kishin hapësira për të lëvizur.

Hetimet iu janë besuar karabinierëve, të koordinuar nga Prokuroria Publike e Busto Arsizio. Pasditen e së mërkurës janë pyetur fqinjët (në vilën përballë tetë muaj më parë pati një episod të ngjashëm). Lojtari, pas stërvitjes në Milanello, është e panevojshme të theksohet se sa shumë i shqetësuar ishte. Shumë u prekën edhe shokët e tij të skuadrës nga ajo që ndodhi me familjen e Theos.

“Ai nuk ka dëshirë të flasë, por është e kuptueshme. Theo është i tronditur”, – tha Andrea Romeo, menaxheri i ekipit të Milanit që e vizitoi. “Pothuajse ndihem fajtor, – rrëfeu Franco Vela, pronari i mëparshëm i shtëpisë, një nga të parët që nxitoi të martën në mbrëmje. – Kam jetuar katër vite atje dhe nuk kam pësuar kurrë vjedhje”./noa.al