Geek

Apple pritet të lansojë një iPad të palosshëm e jo një iPhone më 2024

10/19/2022 16:30
nga:G C

Gjiganti teknologjik, Apple, pritet të lansojë një iPad me ekran që paloset në vitin 2024, ka thënë kompania që merret me analiza teknologjike “CCS Insight”, duke parashikuar se kompania amerikane do të nisë së shpejti me eksperimente të teknologjisë që paloset.

“CCS Insight” ka publikuar një parashikim të përvitshëm të martën. Në të ekspertët kanë paralajmëruar produktet dhe trendët e ardhshëm.

Në raportin e fundit, është paraparë që Apple të lansojë një iPad të palosshëm për dy vjet, në vend se të nisë me një iPhone që paloset. Kjo është e kundërta e asaj që kanë bërë gjigantët tjerë, si Samsungu që kanë nisur me lansim të telefonave të palosshëm në vend të tabletëve.

“Tani për tani, nuk ka logjikë që Apple të prodhojë një iPhone të palosshëm. Ne mendojmë se do ta shmangë ‘trendin’ dhe do të kalojë në iPad të palosshëm”, ka thënë Ben Wood, shef i hulumtimeve në “CCS Insight” për “CNBC”. “Një iPhone që paloset do të ishte super rrezik i madh për Applein”, ka shtuar ai duke thënë se prodhimi i një telefoni të tillë do të ishte tejet i shtrenjtë për kompaninë.

Sipas analizave, një iPhone që paloset do të kushtonte rreth 2500 dollarë. Apple iPhone 14 Pro Max, me hapësirë më të madhe të brendshme, e që është modeli më i shtrenjtë aktualisht, kushton rreth 1600 dollarë.

Wood ka thënë se nëse Apple do të kishte telashe teknike me telefon që paloset, do të ishte moment kritik për kompaninë. Megjithatë, sipas tij, Apple s’ka opsion tjetër veçse t’i ndjekë trendët.