Lëvizja Vetëvendosje dje ka publikuar videon e radhës, përmes së cilës hedh akuza ndaj qeverisjes 20 vjeçare në Kosovë.
Këtë herë, ajo ka akuzuar partitë që kanë qeverisur me vendin, që aktualisht janë në opozitë, për sektorin e energjisë, duke thënë se ata na kanë lënë në terr.
“Ata që e lanë sektorin e energjisë në terr është mirë që përveç energjisë të na kursejnë edhe prej zhurmës. Qeverisja e re ani pse e ka gjetur vendin ashtu siç e kanë lënë në gjendje të mjerueshme, do të jetë në ballë të detyrës për t’ju përgjigjur secilës krizë me të cilën nuk po përballemi vetëm ne por e gjithë Evropa”, thuhet në përshkrimin e videos.
Lidhur me këtë dhe videot e tjera të publikuara nga Lëvizja Vetëvendosja, analistja Shqipe Pantina, thotë për Gazeta Blic se LVV paaftësinë e saj e saj për t’i zgjidhur problemet si qeveri, po tenton t’i kamuflojë duke e tërhequr vëmendjen për të kaluarën, duke bërë akuza dhe propagandë.
“Mendoj se Qeveria, gjegjësisht LVV, paaftësinë e vet për gjetjen e zgjidhjeve për problemet me të cilat po ballafaqohet shteti, po mundohet ta kamuflojë duke tërhequr vëmendjen e publikut për të kaluarën. LVV po e bën atë që di më së miri: akuza dhe propagandë. Si duket kanë ngecur diku në të kaluarën dhe assesi s’po mund të shikojnë të ardhmen ose nuk po dinë”, thotë ajo.
Ajo nuk e di nëse këto video mund të paralajmërojnë zgjedhje, por thotë se këto të fundit mund të mbahen nëse Kurti e rrëzon veten.
Pantina shton se nëse ata nuk mund t’i zgjidhin tani problemet, nuk mund t’iu besohet se këtë do ta bëjnë kur nuk do ta kenë shumicën, përveç nëse duan t’ia hedhin fajit partnerit të koalicionit.
“Nuk jam e sigurt se këto video paralajmërojnë zgjedhje. E vetmja mundësi për të shkuar në zgjedhje është që Qeveria, pra Kryeministri Kurti, ta rrëzojë veten. Nëse ata nuk e kanë aftësinë sot për të gjetur zgjidhje për problemet që kanë rënduar jetën e qytetarëve, kur e kanë shumicën në Kuvend, pse duhet t’iu besohet se këtë e bëjnë nesër kur gjasat janë se s’do ta kenë këtë shumicë. Përveç nëse duan që ta kenë një fajtor kujdestar, që mund të jetë partneri i koalicionit, për t’ia hedhur fajin për dështimet sepse sot nuk e kanë atë dhe prandaj po e kthejnë kokën prapa për ta kërkuar”, deklaron Shqipe Pantina./Gazeta Blic/


