Lajme

Protestuesi i Hong Kongut u rrah në mjediset e konsullatës kineze në Mançester

10/17/2022 08:35
nga:G B

Një protestues pro demokracisë në Hong Kong u tërhoq me forcë dhe u rrah në ambientet e konsullatës kineze në Mançester, të dielën.

Burra të paidentifikuar dolën nga konsullata dhe e rrahën burrin brenda kompleksit, përpara se ai të shpëtonte me ndihmën e policisë dhe demonstruesve të tjerë.

“Më tërhoqën zvarrë brenda dhe më rrahën”, i tha protestuesi BBC-së.

Një zëdhënës i konsullatës tha se protestuesit kishin shfaqur një portret fyes të presidentit të Kinës.

Zyra e Jashtme tha se po kërkonte urgjentisht qartësi mbi incidentin, ndërkaq policia e Mançesterit ka nisur një hetim.

Duke folur pas incidentit, protestuesi, i quajtur Bob, i tha BBC-së kineze se njerëz nga Kina kontinentale, dolën nga konsullata dhe shkatërruan pankartat e tyre, përcjell Klankosova.tv

“Ndërsa u përpoqëm t’i ndalonim, ata më tërhoqën zvarrë brenda, më rrahën”, tha ai, duke shtuar se më pas u tërhoq nga policia e Mbretërisë së Bashkuar.

“Është qesharake. Sulmuesit nuk duhet ta kishin bërë këtë. Ne supozohet të kemi lirinë të themi çfarë të duam këtu në Mbretërinë e Bashkuar”.

Pas incidentit, protestuesit u revoltuan ndaj njerëzve nga konsullata dhe policia britanike, duke argumentuar se mund të kishin bërë më shumë.