Këshilli i Prindërve ka reaguar sërish për mësimin zëvendësues ditën e shtunë për orët e humbura në grevë, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, Këshilli thotë se politikanët e arsimit në Kosovë po gjykojnë që gjashtë ditë rresht mësim janë të mundshme e nuk ka rëndësi a janë dakord për këtë fëmija e prindërit por edhe mësimdhënësit.
Ai ka thënë se politikëbërja e ka parakusht të domosdoshëm diskutimin me të gjitha palët për çdo çështje të rëndësishme që prek fëmijët, prindërit e mësimdhënësit dhe gjithë sistemin edukativ e arsimor.
Postimi i plotë:
UDHËKRYQI I ARSIMIT PUBLIK
Janë disa shtete me organizim të lartë institucional e intelektual që po e legjitimojnë javën me katër ditë punë e tri ditë pushim. Belgjika, Islanda, Irlanda, Zelanda e Re, Japonia, Spanja dhe Emiratet e Bashkuara Arabe njihen deri tani si të tilla. Shumë shtete të tjera, por edhe ndërmarrje private, pritet ta përqafojnë së shpejti këtë ndryshim. Arsyeja kryesore: moslodhja e mosmërzitja por kreativiteti e mirëqenia psikofizike e të punësuarve.
Ndërsa politkbërësit e arsimit në Kosovë po gjykojnë që gjashtë ditë rresht mësim janë të mundshme e nuk ka rëndësi a janë dakord për këtë fëmija e prindërit por edhe mësimdhënësit.
Ne vazhdojmë të këshillojmë se politikbërja (sidomos në sistemin arsimor) e ka parakusht të domosdoshëm diskutimin shterues nga të gjitha palët hisedare e të interesit për çdo çështje të rëndësishme që prek fëmijët, prindërit e mësimdhënësit dhe gjithë sistemin edukativ e arsimor.
Pa dakordësi e pajtueshmëri të argumentuar ne do të vazhdojmë së bëri lëvizje të çrregullta, me efekte shumë anshmërisht penguese, pa perspektivë shpresëdhënëse se arsimi publik në këtë vend mund (e do) të dalë nga prapambeturia, jokoherenca e padobishmëria.
Vizioni progresist i arsimit i pranon e i përthith arsyetimin, dijen, kreativitetin, respektin njerëzor e intelektual, gjithëpërfshirjen, dinjitetin e ligjshmërinë dhe i refuzon të kundërtat e tyre.


