Lajme

Takimi për vizat në nëntor, deputetja e LDK-së optimiste për mbështetjen: Institucionet të mos relaksohen

10/15/2022 14:07
nga:G B

Edhe pse me 13 tetor pritej një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Procesi i liberalizimit u kushtëzua me sistemin ETIAS, i cili ende nuk është funksional dhe pritet të hyjë në funksion në nëntor të vitit 2023.

Megjithëse ministrja e jashtme, Donika Gërvalla tha se nuk kishte kushte për viza dhe se tani është fillimi i pjesës së fundit të këtij procesi, ndryshe u deklarua zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Ai tha se nuk ka pasur hezitime por që shtetet kanë pasur tri qëndrime për vizat për Kosovën.

“Kemi vende të cilat pa asnjë rezervë e kanë përkrahur liberalizimin e menjëhershëm të vizave për Kosovën, kemi ato shtete, të cilat për arsye të dinamikave politike nuk kanë mundur të japin qëndrimin zyrtar, për shkak se disa sosh janë në mandat teknik të qeverive të tyre, është Italia dhe Suedia, si dhe Danimarka që sapo ka paralajmëruar zgjedhjet e reja. Janë edhe vendet pakicë, të cilat nuk e kundërshtojnë liberalizimin e vizave për Kosovën, por dëshirojnë që këtë ta lidhin me disa elemente tjera, të cilat për neve janë kushte të reja, apo kritere të reja. Edhe pse ata pretendojnë se janë vetëm teknikalitete, për ne janë kushte të reja”, tha ai.

Një takim tjetër me diskutime për liberalizimin e vizave për Kosovën do të mbahet në muajin nëntor të këtij viti.

Deputetja e LDK-së, njëherësh kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi, shpreson që vendet e BE-së të jenë optimiste në mbështetjen e Kosovës për vizat edhe në këtë takim.

“Unë dua të shpresoj se vendet anëtare të BE-së do ta kenë optimizmin e njëjtë për ta mbështetur Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave edhe në takimin e radhës”, thotë ajo për Gazeta Blic.

Krasniqi rikthekson se izolimi i qytetarëve të Kosovës është i padrejtë dhe i paarsyeshëm, pasi Kosova i ka plotësuar kriteret e vendosura nga ana e BE-së.

“Vendi ynë i ka plotësuar të gjitha kriteret e përcaktuara nga ana e BE-së për lëvizje të lirë, andaj izolimi i mëtutjeshëm për qytetarët tanë është i paarsyeshëm dhe i padrejtë. Qytetarët tanë meritojnë lëvizje të lirë në vendet e BE-së dhe kjo duhet të ndodh sa më parë”, shprehet ajo.

Por, deputetja për Gazeta Blic vlerëson se institucionet nuk duhet të reklaksohen por duhet të angazhohen deri në përmbylljen e këtij procesi dhe nuk duhet lejuar që situata të del nga dora.

“Megjithatë, kjo situatë nuk duhet t’i bëjë institucionet tona të ndihen të relaksuara dhe të mos angazhohen më shumë deri në përmbylljen e këtij procesi, përkundrazi nevojitet me dinamizëm në fushën diplomatike për të mos lejuar që situata të del nga dora. E ritheksoj, Kosova ka përmbushur kriteret, qytetarët tanë meritojnë të lëvizin pa viza në vendet e BE-së”, deklaron Rrezarta Krasniqi, deputete e LDK-së./Gazeta Blic/