Lajme

Bajrami (VV): ETIAS s’është vendosur si kriter, mbledhjet e BE-së s’kanë përfunduar

10/14/2022 18:55
nga:Astrit Gashi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami, ka thënë se nuk ka pasur një vendim negativ për Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave.

Sipas Bajramit, projekti ETIAS nuk është vendosur si kriter dhe se i njëjti ende nuk është vënë në zbatim.

“Këtë s’e ka asnjë vend i Ballkanit në shërbim, pasi i njëjti s’është vënë në funksion. I njëjti program, pritet që të jetë kusht edhe për Britaninë e Madhe që është jashtë BE-së”, është shprehur Bajrami në Klan Kosova.

Tutje, ai tha se edhe mbledhjet e BE-së ende s’kanë përfunduar, pasi sipas tij, është një tjetër më 17 tetor, më 14 nëntor dhe më 27 nëntor.

Bajrami, më tej tha se vënia e një kushti tjetër nuk e ka befasuar partinë në pushtet, por ai tha se s’presin që një gjë e tillë ta pengojë Kosovën për liberalizim.

“Nuk besoj se ne jemi të varur në raport me atë se kur ky program do të hyjë në fuqi. Është krejt diskutim tjetër funksionalizimi i programit në raport me procesin e liberalizimit të vizave”, është shprehur Bajrami.