Sot në Këshillin e Evropës është diskutuar për çështjen e liberalizimit të vizave, në një mbledhje të mbyllur.
Shteti i Francës e ka kushtëzuar këtë proces të vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.
Kështu ka raportuar Radio Evropa e Lirë, e cila ka thënë se ky propozim besohet se është bërë nga zyrtarët francezë, dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.
Pas takimit nga presidenca çeke u tha se do të vazhdohet me diskutimet, derisa është e domosdoshme që të qartësohen disa çështje.
Lidhur me këtë, analisti Gazmir Raci në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se është e paarsyeshme që të ketë kushte shtesë.
“Është e pajustifikueshme çfarëdo kushti shtesë që mund t’i vendoset duke i bazuar ato nga mësimet që i kanë marrë gjatë heqjes së regjimit të vizave me shtetet tjera sidomos me këto të Ballkanit Perëndimor”, thekson ai.

Raci vlerëson se të gjitha kushtet e vendosura Kosova i ka plotësuar.
“Gjitha kushtet e vendosura nga Komisioni Evropian Kosova i ka plotësuar. Kosovës i duhet perspektiva e qartë evropiane”, shton ai për Gazeta Blic.
Analisti potencon se dhënia e vizave për Kosovën është hapi i parë që duhet ta bëjë Evropa.
“Heqja e vizave është hapi i parë që duhet të na bëjë të besojmë që Evropa e dëshiron edhe Kosovën në gjirin e shteteve të lira e demokratike evropiane”, deklaron Gazmir Raci.
Ndryshe, në nëntor të këtij viti pritet takimi i radhës i këtij grupi./Gazeta Blic/


