Sporti

Daja: Kam djem me karakter, të luftojmë edhe më fort

10/12/2022 15:24
nga:N M

Ballkani është gati për duelin e radhës ndaj Sivassporit në Conference League. Kampionët e Kosovës arritën një sukses drithërues 3-4 në Turqi, i pari për ta në fazën e grupeve në kompeticionit europiane.

Në Suharekë kanë nisur të ëndërrojnë kualifikimin, por më parë duhet arritur një tjetër fitore ndaj skuadrës turke. Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja preku disa tema në konferencën për shtypin përpara duelit të së enjtes në “Fadil Vokrri”, përballje që do transmetohet në SuperSport.

“Mendoj se sa më larg të shkojmë aq më të vështira bëhen gjërat. Do të mbështetemi te tifozët dhe mendoj se do të bëhet pak më e lehtë nga mbështetja e tyre. Stadiumi do të jetë plot, që do të thotë se përgjegjësia do të jetë më e madhe. Nuk ka ndeshje të lehtë, të katërta ekipet renditen me nga katër pikë. Jemi gati, por nesër duhet të bëjmë akoma më shumë se sa bëmë një javë përpara. Kapiteni Kuç nuk do të jetë i gatshëm, ka disa ditë që ka filluar vrapimet, por nuk ka bërë stërvitje me grupin. Por, ai do të jetë në pankinë, edhe pse nuk do të luajë me 99%. Rikthimi i Astrit Thaqit është një bonus për ne, por kemi të dëmtuar edhe Tushën për nesër”, tha Daja.