Gjykata e Apelit, të mërkurën ka shqyrtuar ankesat e Prokurorisë, mbrojtjes së palës së dëmtuar avokatit Ramiz Krasniqi dhe mbrojtësve së të akuzuarve avokatëve, Ymer Huruglica, Admir Salihu, Arbnore Shefkiu, Samir Rekaj dhe Fitim Shabani.
Gjykata Themelore në Ferizaj i kishte dënuar me 26 vjet e 2 muaj burgim dhe 2 mijë e 500 euro gjobë pesë të akuzuarit Albert Ramadani , Artan Ramadani, Fadil Ramadani, Argjent Ramadani dhe Driton Krasniqi.
Ankesat kundër këtij aktgjykimi i ka shqyrtuar kolegji i përbërë nga gjykatësja Xhevdet Abazi (kryetar), Hashim Çollaku(gjykatëse referuese) dhe Beqir Kalludra (anëtar).
Kundër këtij aktgjykimi, ka ushtruar ankesë Prokuroria Themelore e Ferizajt, duke kërkuar që aktgjykimi për të akuzuarin Albert Ramadani të ndryshohet dhe të bëhet ricilësimi i veprës penale si dhe të i shqiptohet një dënim unik më i lartë.
Ndërsa për të akuzuarit Artan Ramadani, Fadil Ramadani, Argjent Ramadani dhe Driton Krasniqi, kjo Prokurori në bazë të ankesës ka kërkuar të ndryshojë aktgjykimin lidhur me sanksionin penal dhe të iu shqiptojë dënime më të larta me burgim.
Kurse, Prokuroria e Apelit me parashtresë ka kërkuar që ankesa e Prokurorisë Themelore dhe e përfaqësuesve të palëve të dëmtuara të aprovohen si të bazuara, kurse ankesat e mbrojtësve të akuzuarve, të refuzohen si të pabazuara.
Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuara, avokati Krasniqi ka ushtruar ankesë për shkak të vendimit mbi dënimin, duke kërkuar që të akuzuarve t’iu shqiptohet dënim më i lartë.
Ndër të tjera avokati Krasniqi tha që i propozon Gjykatës së Apelit të aprovojë ankesën e Prokurorisë dhe ankesën e tyre dhe secili person të dënohet sa e meriton.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Albert Ramadani , avokati Huruglica ka ushtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale, dhe i njëjti propozon të shqiptohet një dënim i tillë që të arrihet qëllimi i dënimit.
Avokati Huruglica shtoi se kërkon nga Gjykata e Apelit të konsiderojë se a janë konsumuar të gjitha elementet e veprës penale.
Tutje mbrojtësi i të akuzuarit Artan Ramadani, avokati Salihu ka ushtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale dhe shkelje të ligjit penal dhe i njëjti i propozoi Gjykatës të Apelit që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza.
Mbrojtësi i të akuzuarit Driton Krasniqi, avokati Shabani ka ushtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale
Ndërkaq, avokati Shabani shtoi se sa i përket veprës penale për të cilin akuzohet i mbrojturi i tij nuk ekziston asnjë element i veprës penale dhe se ai ishte përfshirë në këtë rast pa fajin e tij.
Ndër të tjera mbrojtësja e të akuzuarit Fadil Ramadani, avokatja Shefkiu shtoi se qëndron pranë ankesës së bërë.
Tutje i akuzuari Albert Ramadani tha se i vinte keq që ka ndodhur ky rast dhe se qëndron pranë ankesës së bërë nga mbrojtësi i tij.
Sipas aktakuzës së ngritur më 24 tetor 2018 nga ana e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Albert Ramadani akuzohet se më 28 shkurt 2018, në rrugën magjistrale Ferizaj –Prishtinë, përballë kafenesë “Aniki” në Ferizaj, me dashje dhe në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta tani të ndjerin B. H., pas një mosmarrëveshje lidhur me një borxh në shumën prej 60 mijë euro, lidhur me një veturë të markës “BMW X5”.
Në aktakuzë thuhet se atë veturë Artan Ramadani ia kishte shitur Driton Krasniqit, me ndërmjetësimin e tani të ndjerit H., e të cilin borxh Dritoni sipas marrëveshjes është dashur ta paguajë deri më 28 shkurt 2018, mirëpo i akuzuari Artan Ramadani së bashku me axhën e tij dhe dajën Gafurr kishin shkuar në Prishtinë për t’ia kërkuar borxhin, ndërsa Dritoni iu kishte thënë se do të vinte në Ferizaj dhe se e paguan borxhin.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Dritoni dhe tani i ndjeri H. kishin ardhur rreth orës 18:00, me ç’rast Dritoni u kishte thënë “ju ma keni shqetësuar familjen që keni ardhur tek shtëpia ime dhe këtë punë nuk e lan as hoxha e as prifti”, kështu që të pandehurit ishin revoltuar dhe kishte filluar fyerja reciproke mes tyre.
Tutje, sipas aktakuzës, i akuzuari Fadil e kishte nxjerrë jashtë tani të ndjerin B. për ta qetësuar situatën, mirëpo B. e kishte goditur me kokë atë në pjesën e hundës dhe e kishte rrëzuar për tokë.
Pas kësaj, sipas prokurorisë kishin dalë edhe të pandehurit Albert, Artan dhe Argjend Ramadani dhe kishte filluar rrahja para lokalit, ndërsa i ndjeri H. kishte filluar të ikë në anën e kundërt të magjistrales, kurse të pandehurit kishin vrapuar pas tij.
Me këtë rast, thuhet se i akuzuari Albert kishte nxjerrë pistoletën dhe kishte shtënë dy herë në drejtim të të ndjerit, kurse i ndjeri ishte rrëzuar dhe në gjendje të shtrirë, të akuzuarit e kishin goditur me shqelma në të gjithë pjesët e trupit, ku si pasojë e gjakderdhjes kishte ndërruar jetë në vend të ngjarjes.
Me këtë, Albert Ramadani akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 179, par.1 nënpar.1.4 të KPRKS-së si dhe për veprën mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së.
Kurse, Driton Krasniqi, Artan, Fadil dhe Argjend Ramadani, akuzoheshin se më 28 shkurt 2018 orës 18:25 minuta në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, përballë kafenesë “Aniki” në Ferizaj, kanë marrë pjesë në rrahjen në të cilën ishte privuar nga jeta i ndjeri B.H.
Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrje në rrahje nga neni 190, par.2 të KPRK-së.
Driton Krasniqi, akuzohej edhe për veprën penale “Mashtrimi” nga neni 335, par.5 të KPRK-së, sepse sipas aktakuzës, më 13 janar 2018, në Ferizaj, me paraqitje të rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e kishte mashtruar pronarin e autosallonit “Aldioni”, Artan Ramadanin, në atë mënyrë që sipas aktakuzës, kishte lidhur kontratë për blerjen e automjetit “BMW X5 30 xDrive”, për çmimin 64 mijë euro, me ç’rast kishte paguar 4 mijë euro, kurse shumën tjetër ishte dashur ta paguajë më 28 shkurt 2018, mirëpo i pandehuri Krasniqi veturën e kishte shitur, kurse paratë nuk ia kishte paguar në afatin e caktuar. /BetimipërDrejtësi


