Lajme

Pas deklaratës “Kosova është Evropë”, deputetët kosovarë e presin në konsullatë kolegun ukrainas

10/12/2022 14:52
nga:Astrit Gashi

“Kosova duhet të njihet nga të gjitha vendet e Këshillit të Evropës”.

Me këtë thirrje për shtetet mosnjohëse ku bën pjesë edhe vendi i tij, deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko, mbajti dje një fjalim të zëshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku në debatin për Ballkanin Perëndimor pati kryefjalë Kosovën.

Përkrahja e tij mori simpatinë e opinionit kosovar, i cili e pa edhe si shpërblim për mbështetjten që Kosova po i jep Ukrainës, përkundër që s’e pranon shtetësinë e saj.

Për këtë, konsullata e Kosovës në Strasburg ka organizuar pritje për të dhe kolegen e tij të Parlamentit të Ukrainës, Mariia Mezentseva.

Nikoqirë ishin edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës që këto ditë po qëndrojnë në Strasburg.

Për këtë pritje ka njoftuar ambasadori i Kosovës në Strasburg, Lulzim Hiseni.

“Me delegacionin e Kuvendit të Kosovës shprehëm solidaritetin dhe mbështetjen tonë të plotë për delegacionin e Ukrainës në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, përfshirë Mariia Mezentseva dhe Oleksiy Goncharenko, kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme dhe deputetë të tjerë. Kosova qëndron me Ukrainën në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta, lirisë dhe të drejtave të njeriut”, ka shkruar ai.