Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në presidencë Kampionin e Kosovës në futboll, Ballkani.
Ballkani është duke zhvilluar paraqitje fenomenale në Evropë, ndërkaq kur kanë mbetur edhe tre ndeshje pa përfunduar faza e grupeve kryeson Grupin G.
Në faqen zyrtare të klubit nga Suhareka thuhet se Osmani i ka uruar për sukseset e arritura, ndërkaq i ka uruar fat për ndeshjet e radhës.
“Sot me ftesën e të parës së vendit ishim në presidencë. Vjosa Osmani na uroi për arritjen e klubit si dhe na dëshiroj suksese në ndeshjen e nesërme dhe rrugëtimin tutje në Evropë”, thuhet në njoftimin e klubit.
Ballkani do të zhvillojë nesër ndeshjen e radhës në kuadër të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës, ku përball do të ketë Sivassporin, që javë e kaluar e mposhti me rezultat 3:4 në Turqi.
Ndeshja mes Ballkanit dhe Sivassporit do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 21:00.


