Ish-ministri i Qeverisë ‘Thaçi 2’, Besim Beqaj, i akuzuar në rastin “Afera e Hidrocentraleve”, the se kishte qenë vendim i Qeverisë shthurja e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Këtë deklarim Beqaj e dha të hënën, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, së bashku me Beqaj në këtë rast po akuzohen edhe tre ish-ministrat e Qeverisë ‘Thaçi 2’, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarit Fllanza Hoxha e Arben Gjuka, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I pyetur nga mbrojtësi i tij, avokat Besnik Berisha, se si ishte vendosur për shthurjen e KEK-ut, i akuzuari Beqaj tha se ka qenë vendim i Kuvendit të Kosovës i cili ka derivuar në vendim të Qeverisë.
“Ka qenë vendim i Kuvendit për të filluar procesi i privatizimit, pastaj ajo ka derivu në vendim të Qeverisë dhe pastaj të Komiteti Qeveritar për Privatizim (KQP), si realizues apo zbatues i atyre vendimeve”, tha Beqaj.
Ai paraprakisht ka thënë se KEK-u i është nënshtruar procesit të privatizimit para se ai të emërohej ministër.
“Ne kur jemi emëruar ministra në atë kohë e kemi gjetur një ndërmarrje të regjistruar pranë ARBK-së, e cila ka qenë si rezultat i shthurjes, që nuk ka pas vetëm pjesën e distribucionit dhe furnizimit por ka shthur edhe më shumë njësi të tjera, pra ne e kemi gjet si fakt të kryer atë në momentin kur jemi emëruar në KQP dhe në si KQP vendimet të cilat i ka marr Kuvendi paraprakisht për privatizimin e këtyre aseteve ishim të detyruar ti zbatojmë”, ka thënë i akuzuari Beqaj.
Tutje, ai shtoi se KQP në raport me procesin e privatizimit i është përgjigjur Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke shtuar se nuk ka qenë organ vendimmarrës, ngase sipas tij, KQP vetëm ka zhvilluar procesin dhe ka informuar Qeverinë.
Po ashtu, Beqaj tha se lidhur me procesin e privatizimit ka pasur edhe trupa të tjerë mbështetës të cilët kanë marr pjesë në të gjitha takimet duke dhënë rekomandimet e tyre.
Ai shtoi se si kryesues i KQP-së ka nënshkruar vetëm dy marrëveshje, atë për shitblerjen e aksioneve në cilësinë e përfaqësuesit të aksionarit me autorizim nga KQP-ja dhe marrëveshjen për implementim.
E pas kësaj, Beqaj deklaroi se e kundërshton në tërësi ekspertizën financiare në të cilën eksperti ka konstatuar se ai kishte nënshkruar të gjitha marrëveshjet.
“Dokument që nuk i përngjan jo vetëm ekspertizës financiare, por as ekspertizës ligjore, as teknike, i cili në çdo të dytën fjalë ka pasaktësi, gabime, gjëra të cilat nuk mund të i kuptoj ndryshe vetëm me qëllim në qoftë se ka të përcaktoj diçka për ligj dhe ai thotë se nuk e lejon ligji një veprim të tillë dhe i referohet një dokumenti të huaj dhe e përshkruan dokumentin por jo pjesën substanciale të tij, kjo mund të ndodh vetëm të kjo e ashtuquajtur ekspertizë”, ka shtuar Beqaj.
Ndërkaq, lidhur me 4 hidrocentralet të cilat janë objekt i akuzës, Beqaj tha se KQP nuk është marr me hartimin e listës së aseteve të cilat i nënshtroheshin privatizimit.
I pyetur nga avokati Berisha, se a është diskutuar në mbledhjet e KQP-së, lidhur me heqjen e hidrocentraleve nga lista e privatizimit, Beqaj tha së në asnjë nga takimet nuk është diskutuar për këtë.
“Në asnjë nga takimet e KQP-së nuk është diskutuar për këtë, nocioni është dashtë ose nuk është dashtë në kuptimin tim besoj se nuk zë vend as në dokumente se janë mendime dhe jo kërkesë ligjore”, tha ai.
Sipas të akuzuarit Beqaj, Qeveria me vendim i kishte obliguar që si KQP të procedojnë më tutje në procesin e privatizimit të Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE), vendim të cilin e kishin zbatuar.
Paraprakisht, në seancën e sotme është bërë administrimi i provave materiale, ku pas leximit të provave të propozuara nga prokuroria, pati propozime për prova të reja nga ana e mbrojtësit të të akuzuarës Hoxha, avokat Artan Qerkini si dhe të akuzuarit Rashiq dhe Gjuka.
Këto prova nuk u kundërshtuan nga prokurori special Atdhe Dema dhe më pas të njëjtat u administruan nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj.
Tutje, seanca ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes, ku të akuzuarit Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Fllanza Hoxha kanë shfrytëzuar të drejtën e mbrojtjes në heshtje.
Seanca e radhës për këtë çështje pritet të mbahet më 19 tetor 2022, ku do të vazhdohet më dhënien e mbrojtjes nga ana e të akuzuarve Nenad Rashiq dhe Arben Gjukaj.
Shqyrtimi kryesor në këtë rast ka filluar më 1 korrik 2021, gjatë së cilës seancë të akuzuarit janë deklaruar përsëri të pafajshëm për akuzat e PSRK-së.
Ky rast është duke u gjykuar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa kryetar i trupit gjykues është gjykatësi Valon Kurtaj.
Në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit kishte njoftuar se e ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, që kishte konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarve Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha dhe Arben Gjuka.
Përmes një komunikate për media, Apeli kishte njoftuar se ndaj këtyre të akuzuarve do të vazhdojë gjykimi.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në mars të këtij viti ua kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës, katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarve Fllanza Hoxha, Arben Gjuka.
Ndërsa, kjo gjykatë kishte pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes penale për të akuzuarit Fadil Çitakut, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi.
19 të akuzuarit për rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”, në shqyrtimin fillestar të mbajtur me 28 tetor 2020, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishin deklaruar të pafajshëm.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 10 prill 2020, Besim Beqaj po akuzohet se si kryesues i Komitet Qeveritar për Privatizim (KQP) si dhe Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu, si anëtar të KQP-së, me qëllim që të i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.
Sipas aktakuzës, të njëjtit më 8 maj 2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE) dhe më pastaj të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.
Të njëjtën ditë, vazhdon aktakuza, janë nënshkruar marrëveshja për importe, marrëveshja për transferim, marrëveshja për furnizim, marrëveshja për implementim, marrëveshja për borxhe dhe me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është përmbyll procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen sepse një gjë të tillë e ndalon Ligji për Rregullatorin e Energjisë Elektrike me nr.05/L-04, neni 35, par4.
Sipas PSRK-së, këto asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK-ut, e me këto veprime të njëjtit kanë dëmtuar interesat e KEK-ut dhe të Qeverisë së Kosovës si aksionar, konkretisht, vetëm për qira mujore për periudhën e mbetur, dëmi është 1,054.000.00 euro, sepse e njëjta është dashur t’i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese.
Me këto veprime, PSRK i ngarkon këta të akuzuar me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, par 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
PSRK e akuzon edhe Fllanza Hoxhën, se në cilësinë e menaxheres në projektin e privatizimit e autorizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, i ka tejkaluar kompetencat e saj ashtu që edhe pse ka pasur njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen nga KEK tek kompania “Limak-Calik”, gjenden edhe hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike dhe duke qenë në njohuri se të njëjtat nuk duhet të privatizohen, nuk ka vepruar konform detyrave të veta.
Për më tepër, sipas aktakuzës, Hoxha ka dhënë pëlqimin që një veprim i tillë të ndodh, veprim me të cilin ka dëmtuar interesat e KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar ashtu që vetëm si qira mujore vlera dëmit ka qenë 1,054.000.00 euro ndërsa dëm tjetër është edhe vlera e investuar në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, dëm i cili vazhdon edhe më tutje të shkaktohet në mënyrë të përhershme.
Me këtë, Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo detyrës zyrtare.
Për keqpërdorim të pozitës zyrtare po akuzohet edhe Arben Gjukaj, i cili sipas PSRK-së, duke vepruar në cilësi të Drejtorit Menaxhues të KEK-ut, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se katër hidrocentrale gjeneruese të energjisë elektrike nuk është dashur të privatizohen sepse ia ndalon baza ligjore, i njëjti as nuk ka ndaluar e as nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që ato asete të ngelin në kuadër të KEK-ut.
PSRK akuzonte edhe Fadil Çitakun se në cilësi të kryesuesit të Bordit të KEK-ut, si dhe Mujë Rugovën, Agim Nikën, Flamur Keqën dhe Izet Ibrahimin në cilësi të anëtarëve të Bordit të KEK-ut, se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ashtu që edhe pse kanë qenë në njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen janë edhe katër hidrocentrale, që do duhej të mbeteshin në kuadër të KEK-ut, të njëjtit më 15 tetor 2012, kanë miratuar njëzëri që një veprim i tillë të ndodh duke i shkaktuar kështu dëme milionëshe KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar.
Për këtë arsye, të njëjtit akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Për lejimin e kalimit të katër hidrocentraleve në fjalë nga KEK tek kompania “Limak Calik”, në mënyrën të kundërligjshme sipas PSRK-së, akuzoheshin edhe ish-kryesuesi i Bordit të KKDFE-së, Gani Jashari si dhe anëtarët e Bordit të KKDFE-se, Burim Basha, Gelor Shala, Naim Hyseni dhe Avni Alidemaj.
Të njëjtit, sipas aktakuzës, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare pasi që edhe pse kanë pasur njohuri se hidrocentralet në fjalë është dashur të mbesin edhe më tutje në pronësi të KEK-ut, nuk kanë vepruar konform përgjegjësive të tyre si dhe kanë lejuar që transferimi të ndodh edhe pse e kanë pasur obligim të mbrojnë interesat e kompanisë së sapoformuar.
Prokuroria e akuzonte edhe Besnik Hazirin se në cilësinë e personit zyrtar, koordinator për shthurje të KEK-ut, me qëllim që t’i mundësoj çfarëdo përfitimi pasuror dhe t’i shkaktoj dëm personit tjetër, i ka tejkaluar kompetencat e veta, pasi që nga detyra që ka pasur për finalizim të aseteve dhe inventarit nga KEK në KKDFE, nuk i ka trajtuar hidrocentralet e dhëna me koncesion edhe pse ka pasur njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen nga KEK tek “Limak-Calik”, gjenden edhe katër hidrocentralet në fjalë duke i shkaktuar kështu dëme milionëshe KEK-ut dhe Qeverisës së Kosovë.
Me këtë, Haziri akuzohej se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar, akuzohej edhe Krenar Bujupi, i cili sipas PSRK-së, si anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike dhe i deleguar në Komitetin Qeveritar të Privatizimit i ka tejkaluar kompetencat e tij duke e pranuar marrëveshjen për transferim të aseteve mes palëve KEK, KKDFE dhe më pas tek “Limak-Calik”, si të ligjshme përkundër faktit se Ligji për ZRRE, neni 35, par4 e ka ndaluar një veprim të tillë.
Kësisoj, me këtë veprim të tij, Bujupi, akuzohej se ka keqpërdor pozitën e tij zyrtare, ashtu që sikurse edhe të akuzuarit tjerë, i kanë shkaktuar dëme që kapin shifrën e milionave, KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar të saj.


