Lajme

Dëshmitari thotë se ka tërhequr afër 4 mijë euro për njërin të akuzuar, duke mos e ditur arsyen

10/10/2022 17:15
nga:G B

Dëshmitari Flamur Shala, deklaroi se ka tërhequr afërsisht 4 mijë euro për të akuzuarin Agron Bajçinca, duke mos e ditur arsyen e kësaj tërheqje.

Këtë deklarim, dëshmitari Shala e bëri në seancën e së hënës, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special, Naim Abazi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, Agron Bajçinca, Visar Mërlaku, Ademi Azemi dhe Arton Tahiraj po akuzohen për veprën penale “Shpëlarje e parave”.

Pas dëgjimit të dëshmitarit Shala, u dëgjua dëshmitari Nijazi Bajçinca, i cili tha se e ka vëlla të akuzuarin Agron Bajçinca dhe se për të njëjtin i ka tërhequr mjetet montare, shuma e të cilave tha se nuk i kujtohet.

Ndërkaq, dëshmitari tjetër Përparim Rafuna deklaroi se paratë e tërhequra ia ka dorëzuar direkt të akuzuarit Arton Tahiraj, por edhe ky tha se shuma e tyre nuk i kujtohet.

“E di se arsyeja ka qenë se jam kanë me vëllanë e Artonit tu nejt në kafe të mahallës, edhe ka ardhë Artoni u ul ka pi kafe me neve edhe gjatë bisedës tha sa jam ardhë prej Anglisë edhe po më duhet gruaja me më dërgu pare e vllau asht kredit e a ban m’i qu në emër tem edhe unë tu e njoftë Albertin, vëllanë e Artonit, menova që s’ka diçka edhe thash po edhe i ka dërgu dy herë ose tri s’pe di saktë”, tha Rafuna duke u përgigjur në pyetjet e prokurorit Abazi.

Senaca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit Fetih Breznica, i cili tha se paratë e tërhequra ia ka dorëzuar të akuzuarit tjetër Adem Azemi dhe këtë tha se e ka bërë tre ose katër herë me nga 3 mijë ose 4 mijë euro të tërhequra.

“Ademin e kam njoftë edhe me Ademin ka qenë edhe një turk tjetër kur i kena marrë paret”, tha Breznica.

I pyetur nga prokurori Abazi, dëshmitari Breznica tha se ka marrë 30 ose 40 euro për tërheqje, me arsyetimin se i njëjti i kishte kushtet e vështira ekonomike.

Ndërkaq, në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Adem Azemi, avokatit Behar Ejupi, dëshmitari Breznica deklaroi se personi me nacionalitet turk, i merrte paratë e tërhequra nga vetë Breznica.

Tutje, gjykimi vazhdoi me dëshminë e dëshmitarit Muhamet Bajrami, i cili ndër të tjera theksoi se paratë e tërhequra ia ka dorëzuar të akuzuarit Azemi dhe se të njëjtin veprim tha se e ka bërë dy herë dhe ka tërhequr diku nga tre mijë euro për secilën herë.

Gjithashtu, në pyetjen e avokatit Ejupi, dëshmitari tha se nënën dhe motrën i ka në Francë, por shtoi se as motra as nëna nuk i kanë dërguar të holla nga jashtë.

Në anën tjetër, dëshmitari Sali Sahiti, po ashtu tha se paratë e tërhequra ia ka dhënë të akuzuarit Adem Azemi.

Ai tha se shuma nuk i kujtohet, por këtë veprim tha se e ka bërë tri ose katër herë dhe për këtë shërbim ka marrë nga 20 euro, sepse kishte probleme ekonomike.

Po ashtu, dëshmitari Sahiti tha se ka familjarë jashtë Kosovës dhe se të njëjtit ka pasur raste kur i kanë dërguar mjete monetare.

Kurse, dëshmitari Ylber Jashari deklaroi se nuk e di sigurt se sa herë ka tërhequr të holla, por të njëjtat i ka dorëzuar të akuzuarit Visar Merlaku dhe për çdo herë ka tërhequr nga dy mijë euro.

“Visari ka pas problem me dokument, paret për Visarin i kam tërheq unë”, shtoi ai.

Krejt në fund, dëshminë e tij e dha edhe dëshmitari Sabri Lahi, i cili tha se nuk e njeh asnjërin nga të akuzuarit përveç të akuzuarin Agron Bajçinca, përmes shokut të tij Flamur Shala dhe se paratë e tërhequra ia ka dorëzuar të akuzuarit Bajçinca në shumën diku prej 25 mijë eurosh.

Të gjithë dëshmitarët, sqaruan se mjetet e dorëzuara për të akuzuarit, i kanë tërhequr në Wester Union dhe Money Gram.

Më pas, prokurori Abazi propozoi që dëshmitë e dëshmitarëve Esat Zeqiri, Ahmet Zuka dhe Shemsije Azemi, të lexohen.

Ky propozim u kundërshtua nga avokatët mbrojtës të të akuzuarve dhe më pas, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Syzana Çerkini refuzoi propozimin e prokurorit.

Gjykatësja tha se dëshmitarët Esat Zeqiri, Ahmet Zuka dhe Shemsije Azemi, do të ftohen me ftesë të rregullt për të dëshmuar në seancë.

Ndryshe, sipas gjykatëses Çerkini me vendim të Gjykatës së Apelit, në fazën e kundërshtimit të provave ishte hequr vepra penale “Tregti e ndaluar”.

Seanca e radhës për këtë çështje penale pritet të mbahet më 24 tetor 2022.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 16 gusht 2021, i pandehuri Agron Bajçinca, në periudhën kohore nga viti 2013 deri në vitin 2014, duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe pa leje përkatëse, ka autorizuar personat e ndryshëm për tërheqjen mjeteve monetare, përmes institucioneve financiare nga “Western Union” dhe “Money Gram” në vendet të ndryshme brenda Kosovës.

E gjithë kjo, thuhet se u bë duke i paguar ata në emër të shërbimeve në shumën prej 20 deri në 30 euro, të cilat shuma ishin tërhequr në emër të tij në vlerë prej 13 mijë e 644 euro e 50 centë, 60 mijë e 259 euro e 82 centë, 20 mijë e 714 euro e 98 centë, 26 mijë e 951 euro e 23 centë, 17 mijë euro, 6 mijë e 323 euro e 93 centë, 128 mijë e 717 euro e 11 centë, 21 mijë e 706 euro e 88 centë, 17 mijë e 977 euro e 27 centë, 67 mijë e 833 euro e 25 centë, 12 mijë e 129 euro, 45 mijë e 755 euro e 38 centë dhe 21 mijë e 372 euro e 15 centë, në shumë të përgjithshme 558 mijë e 375 euro e 77 centë, të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këtë, i pandehur Agron Bajçinca, akuzohet se ka kryer veprën penale “Tregtia e ndaluar”.

Tutje, thuhet se i njëjti në kohën dhe vendin si në përshkrimin faktik në dispozitivin e parë të aktakuzës, duke qenë në dijeni se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka pranuar shuma të mëdha të mjeteve monetare nga personat e panjohur nga Republika e Turqisë dhe Republika Dominikane, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë së tij, në atë mënyrë që fillimisht i ka tërhequr mjetet monetare në shumë 97 mijë e 990 euro e 47 centë, e më pas për t’i realizuar qëllimet e tij, ka autorizuar edhe persona të ndryshëm për tërheqjen e shumave të ndryshme të mjeteve monetare, në emër të tij, përmes institucioneve financiare “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë, në shumë të përgjithshme prej 558 mijë e 375 euro e 77 centë, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave”.

Sipas aktit akuzues, i pandehuri Visar Mërlaku akuzohet se në periudhën kohore nga viti 2013 deri në vitin 2014, duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe pa leje përkatëse, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka autorizuar personat e ndryshëm për tërheqjen e mjeteve monetare, përmes institucioneve financiare nga “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë, si dhe i ka paguar ata në emër të shërbimeve në shumë prej 20 deri 30 euro, të cilat shuma ishin tërhequr në emër të tij dhe atë 49 mijë e 37 euro e 40 centë, 18 mijë e 596 euro e 2 centë dhe 65 mijë e 715 euro e 37 centë, në shumë të përgjithshme 123 mijë e 348 euro e 79 centë, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këto, veprime i pandehuri Visar Mërlaku akuzohet se ka kryer veprën penale “Tregtia e ndaluar”.

Tutje, aktakuza thotë se i njëjti në kohën dhe vendin si përshkrimi faktik më lartë, duke qenë në dijeni se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka pranuar shuma të mëdha të mjeteve monetare nga personat e panjohur nga Republika e Turqisë dhe Republika Dominikane me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë së tij.

Thuhet se këtë e bëri në atë mënyrë që i ka tërhequr mjetet monetare në shumë prej 49 mijë e 37 euro e 40 centë, e më pas ka autorizuar edhe persona të ndryshëm për tërheqjen e shumave të ndryshme monetare në emër të tij përmes institucioneve financiare nga “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë, në shumë të përgjithshme prej 123 mijë e 348 euro e 79 centë, të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave”.

Aktakuza pretendon se i akuzuari Adem Azemi në periudhën kohore nga viti 2013 deri në vitin 2014, duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe pa leje përkatëse, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka autorizuar personat e ndryshëm për tërheqjen e shumave të ndryshme të mjeteve monetare, përmes institucioneve financiare nga “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë.

Tutje, thuhet se këtë e bëri duke i paguar ata në emër të shërbimeve në shumën prej 20 deri 30 euro, të cilat shuma ishin tërhequr në emër të tij dhe atë 6 mijë e 972 euro e 36 centë, 6 mijë e 964 euro e 70 centë, 13 mijë e 967 euro e 79 centë, 13 mijë e 967 euro e 79 centë, 14 mijë e 41 euro e 9 centë dhe 23 mijë e 938 euro e 50 centë, në shumën e përgjithshme prej 65 mijë e 884 euro e 44 centë, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këto veprime, i akuzuari Adem Azemi, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Tregtia e ndaluar”.

Tutje, thuhet në aktakuzë, se i njëjti duke qenë në dijeni se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka pranuar shuma të mëdha të mjeteve monetare nga Republika e Turqisë dhe Republika Domenikane, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë së tij, në atë mënyrë që  ka angazhuar persona të ndryshëm për tërheqjen e shumave të ndryshme të mjeteve monetare në emër të tij, përmes institucioneve financiare “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë, duke pranuar dhe maskuar shumën totale prej 65 mijë e 884 euro e 44 centë, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këto veprime, ngarkohet për kryerjen e veprës penale “Shpëlarja e parave”.

Ndërkaq, sipas aktakuzës, i pandehuri Arton Tahiraj, akuzohet se në periudhën kohore nga viti 2013 deri në vitin 2014, duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe pa leje përkatëse, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka autorizuar personat e ndryshëm për tërheqjen e shumave  të ndryshme të mjeteve monetare, përmes institucioneve financiare nga “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë, si dhe duke i paguar në emër të shërbimeve në shumën prej 20 deri 30 euro, të cilat shuma ishin tërhequr në emër të tij, 47 mijë e 594 euro, 6 mijë e 832 euro e 25 centë, 6 mijë e 371 euro e 73 centë, 6 mijë e 874 euro e 76 centë, si dhe 27 mijë e 517 euro e 22 centë, përkatësisht në shumën e përgjithshme totale 95 mijë e 189 euro e 86 centë, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këtë, i akuzuari Arton Tahiraj, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Tregti e ndaluar”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i njëjti, duke qenë në dijeni se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka pranuar shuma të mëdha të mjeteve monetare nga Republika e Turqisë dhe Republika Domenikane, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë së tij.

Në aktakuzë thuhet se Arton Tahiraj ka angazhuar persona të ndryshëm për tërheqjen e shumave të ndryshme të mjeteve monetare në emër të tij, përmes institucioneve financiare “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë, duke pranuar dhe maskuar shumën totale prej 95 mijë e 189 euro e 86 centë, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këtë, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave”.