Çmimet e ushqimeve në të gjithë globin vazhdojnë të qëndrojnë në nivelet më të larta të 50 viteve të fundit.
Megjithatë Organizata Botërore e Ushqimit konstaton rënie të lehtë të këtyre çmimeve gjatë muajve të fundit, krahasuar me rekordin historik të vendosur në Mars, pas nisjes së sulmit rus në Ukrainë.
Tabela e Indeksit të Çmimit të Ushqimeve tregon rënie me 1.1% të mesatares së çmimeve dhe kostove të tjera të 5 grupeve ushqimore si mishi, bulmeti, drithërat, vajrat vegjetalë dhe sheqeri, krahasuar me Gushtin.
Rënien më të madhe të 7 muajve të fundit e kanë pësuar vajrat vegjetalë, pas rikthimit në Gusht të eksporteve nga Ukraina.
Kategoria e drithërave është e vetmja që ka pësuar rritje të indeksit nga Gushti në Shtator.
FAO, megjithatë vlerëson se çmimet mbeten të larta më shumë nga bllokimi i rrugëve të furnizimit sesa nga mungesa e prodhimit dhe faktori kryesor është lufta ruse në Ukrainë. Këto dy vende janë eksportuesit më të mëdhenj të lëndëve të para ushqimore në botë.


