Pas deklarimeve të dhëna nga eksperti i Agjencisë Forenzike të Kosovës Bashkim Mustafa, trupi gjykues ka vendosur se do bëhet plotësim i ekspertizës për identifikim të ADN-së, në rastin ku F.S po akuzohet për “Vrasje të rëndë”.
Një vendim të tillë e konstatoi kryetari i trupit gjykues Kushtrim Shyti, në seancën e mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas dëgjimit të ekspertit Mustafa, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mustafa në pyetjet e bëra nga trupi gjykues ka deklaruar se nga mostrat e vendit të ngjarjes nuk ka qenë e mundur të konstatohet se kujt i takojnë gjurmët pa pasur mostra referente edhe nga personat tjerë.
“Nëse na sjellin mostrat referente prej personave të involvuar në rast, atëherë ne mund të bëjmë krahasimet me profilet që kemi fituar nga dëshmitë e lartë cekura dhe të konstatojmë se këto profile të panjohura të ADN-së i takojnë këtyre personave apo jo”, deklaroi Mustafa.
Kjo pasi që sipas ekspertit mostrat që ua kanë sjellë për ekspertizë konsiderohen si mostra të vendit të ngjarjes dhe jo referente edhe pse të njëjtat janë marrë nga thonjtë e T.S, S.S dhe SH.S, nuk mund të konstatohet nëse u takon atyre personave apo jo pa pasur edhe mostrën referente.
Në pyetjen e gjykatëses Fatime Dërmaku se a mund të nxjerrën mostra nga kockat e tani të ndjerës T.S, eksperti konstatoi se sipas tij metodë më e lehtë është të merren mostrat e gjakut nga autopsia, të cilat ruhen në mjekësinë ligjore .
Kjo pasi që nga dëshmitë e forenzikës, gjatë ekzaminimit të shallit është gjetur njollë gjaku dhe nga ajo njollë e gjakut është fituar një profil i ADN-së të një personi të panjohur të gjinisë femërore.
“Për ne çdo profil që fitojmë i ADN-së dhe nuk kemi mostër krahasuese për ta krahasuar dhe konstatuar se kujt i takon, atëherë ne atë profil e interpretojmë si profil i panjohur i ADN-së si në këtë rast që është një person i panjohur i gjinisë femërore”, deklaroi i njëjti.
Eksperti Mustafa ka deklaruar se nga thonjtë e F.S kanë fituar një profil të përsëritshëm dhe të përzier të ADN-së nga së paku dy persona, të cilët për momentin janë të panjohur deri sa të bëhen krahasimet e lartë cekura.
Në fund e akuzuara F.S kërkoi të dij nga eksperti se pas ekspertizës së bërë a ka dalur diçka që përputhet me të dhe diçka që vërteton se e njëjta ka kryer veprën në fjale, eksperti deklaroi se nuk është kompetent për të dhënë konstatime të tilla dhe se nuk ka mostra referente të personit konkret .
Në rrethana të tilla, seanca e sotme u shty në afat të pacaktuar deri në marrjen e plotësimit të ekspertizës, për të cilën seancë palët do të ftohen me ftesa të rregullta.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 9 maj 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj F.S e cila deri sa ishte në dhomën e fjetjes së tani të ndjerës T.S që gjendet në Fushë Kosovë, në gjendje të përgjegjësisë esencialisht të zvogëluar, nga motive të panjohura e kishte privuar nga jeta motrën e saj T.S.
Sipas aktit akuzues, deri sa tani e ndjera ishte e shtirë në krevatin e dhomës së saj e pandehura fillimisht e kishte shtrënguar në qafë dhe fyt e më pa e kishte lidhur edhe shaminë në fyt me ç’rast nga ngulfatja kishte ndërruar jetë, ndërsa e pandehura kishte ikur nga vendi i ngjarjes duke kërcyer nga dritarja.
Lidhur me këtë, F.S po akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 par 1 pika 1.3 të KPRK-së.


