Ballkani do të përballet sot në ndeshjen e rradhës në kuadër të Europa Conference League.
Kampioni në fuqi i Kosovës do të jetë mysafirë i skuadrës turke, Sivassporit për ndeshjen që zhvillohet me fillim nga ora 18:45, shkruan GazetaBlic Sport.
Ballkani në këtë takim hyn pas humbjes me Slavia Prague, kurse Sivasspor duelin e fundit e fitoi ndaj CFR Cluj.
Trajneri i njohur kosovar, Arsim Thaqi, gjatë prononcimit për GazetaBlic Sport e cilësoi Ballkanin si një skuadër tashmë më të pjekur në aspektin e përvojës në garat ndërkombëtare
“Mendoj që Ballkani tashmë ka krijuar një eksperiencë sa i përket garave ndërkombëtare, është me rëndësi që Sivasspor nuk ka formë të mirë ndeshjeve të fundit, kanë eksperiencë më të madhe në gara nuk do të jetë e lehtë. Mendoj që çdo rezultat tjetër përpos humbjes do të jetë pozitiv për Ballkanin“, tha fillimisht Thaqi.
Thaqi poashtu deklaroi se Ballkani duhet të ketë vazhdimësi të lojës në mënyrë që ta mbajnë ritmin edhe në pjesën e dytë.
“Kuptohet gjithmonë për shkak edhe të ligës, përgaditja fizike dallon nga ekipet e huaja. Ka shumë më shumë cilësi brenda ligës që e rrit edhe nivelin e ekipit. Megjithatë shpresoj që loja e Ballkanit të ketë vazhdimësi prej fillimit deri në fund, në mënyrë që të mos ketë rënie në pjesën e dytë si ka ndodh edhe në të kaluarën. Niveli i ekipeve në këtë garë është i lartë dhe dijnë të shënojnë edhe nga gjysmë-rastet. Ballkani ka krijuar shanse në të gjitha ndeshjet, por finalizimi ka munguar në disa raste”, tha Thaqi për GazetaBlic Sport.


