Lajme

Rama-peshkatarëve: Brenda javës do vendoset çmim tavan për naftën

10/04/2022 14:46
nga:G B

Kryeministri Edi Rama u takua këtë të martë me peshkatarët në Durrës dhe deklaroi se këtë javë qeveria do të vendosë një çmim tavan për naftën për të gjithë ata që merren me këtë sektor.

Kreu i qeverisë paralajmëroi furnitorët e naftës për peshkim se kush nuk do e zbatojë këtë vendim do të duhet të dorëzojë depozitat.

Brenda kësaj jave qeveria do të caktoje një çmim tavan të naftës për të gjithë peshkatarët në vijën bregdetare. Lajmin e bëri me dije kryeministri Rama gjatë një takimi që zhvilloi me peshkatarët në Durrës.

“Këtu nuk mund të ketë vend që të nxjerrin fitime nga djersa juaj duke bërë xhibla me furnizimin. Nuk do ta lejojmë të ketë një dallim mes një furnitori apo një tjetri. Të gjithë furnitorët e naftës për peshkimin do ta kenë çmimin njëlloj të vendosur nga Ministria e Bujqësisë dhe kjo do të behët brenda javës. Kush nuk e bën do të detyrohet që të dorëzojë depozita”, tha Rama.

Kryeministri u kthye pas në kohë duke bërë një bilanc për këtë sektor përpara disa viteve.

Gjatë takimi Rama tha se synohet që Shqipëria të shkojë në 1 miliard eksporte bujqësore, ku peshkimi të zë peshën e 200 milionëve.